đ‡đąđŹđ­đšđ«đąđ€đź đ©Ă«đ« đȘđČ𝐭𝐞𝐭𝐱𝐧 𝐞 đ†đŁđąđ„đšđ§đąđ­

 đ‡đąđŹđ­đšđ«đąđ€đź đ©Ă«đ« đȘđČ𝐭𝐞𝐭𝐱𝐧 𝐞 đ†đŁđąđ„đšđ§đąđ­

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Isuf Ahmeti

Gjilani shtrihet nĂ« pjesĂ«n juglindore tĂ« KosovĂ«s, krahina e AnamoravĂ«s. Ka njĂ« pozitĂ« tĂ« mirĂ« gjeografike sepse shtrihet nĂ« pellgun e MoravĂ«s dhe Ă«shtĂ« qendĂ«r e rajonit tĂ« AnamoravĂ«s. Gjilani gjendet nĂ« udhĂ«kryq tĂ« rrugĂ«ve Ferizaj-Bujanoc dhe PreshevĂ«-ArtanĂ«. Kufizohet nĂ« jug-lindje me PreshevĂ«n dhe KumanovĂ«n, nĂ« lindje me Bujanocin, nĂ« veri-lindje me DardanĂ«n (ish-KamenicĂ«n), nĂ« jug me VitinĂ«, nĂ« veri-lindje me ArtanĂ«n (ish-NovobĂ«rdĂ«n) dhe nĂ« perĂ«ndim me Lypjanin e PrishtinĂ«n. Viti i saktĂ« i themelimit tĂ« (ÙƒÙŠÙ„Ű§Ù†) Gjilanit sot e kĂ«saj dite nuk Ă«shtĂ« i pĂ«rcaktuar plotĂ«sisht. NĂ« shek. XVII, Evlia Çelebiu e pĂ«rmend Gjilanin, por me emrin MoravĂ«, si kadillĂ«k nĂ« kuadĂ«r tĂ« Sanxhakut tĂ« VushtrrisĂ«. Mes tjerash Evlia Çelebiu shkruan se ky qytet Ă«shtĂ« “shtatĂ«mbĂ«dhjetĂ« ditĂ« udhĂ« nga Kostandinopoja.

Nuk dihet mjaft se ç’prej kur ekziston Gjilani si vendbanim, por nĂ« dokumentet e ndryshme tĂ« mesjetĂ«s pĂ«rmendet mjaft herĂ«t si fshat. KĂ«shtu pĂ«rmendet edhe njĂ« numĂ«r i madh fshatrash tĂ« atij territori qĂ« ekzistojnĂ« edhe sot. Informatat e para pĂ«r Gjilanin si fshat ekzistojnĂ« qĂ« nĂ« shek. XIV. NĂ« popull Ă«shtĂ« ruajtur gojĂ«dhĂ«na, sipas sĂ« cilĂ«s Gjilani si vendbanim Ă«shtĂ« formuar nĂ« gjysmĂ«n e dytĂ« tĂ« shek. XVIII dhe nĂ« periudhĂ«n ndĂ«rmjet viteve 1750 e 1780, ndĂ«rsa si qendĂ«r urbane mund tĂ« merret viti 1772. Gjilani si qytet Ă«shtĂ« zhvilluar krahas shuarjes sĂ« NovobĂ«rdĂ«s, qĂ« nĂ« mesjetĂ« ka qenĂ« njĂ«ri ndĂ«r qytetet dhe qendrat mĂ« tĂ« mĂ«dha tregtare, ekonomike dhe xehetare tĂ« Ballkanit.

Dihet mirëfilli se Gjilanin si qytet e ka themeluar familja feudale shqiptare e Gjinajve, e cila që nga viti 1737 deri në fund të shek. XIX ka sunduar në Kosovë, në Drenicë, në Llap dhe në Moravë. Sulltani ka qenë i detyruar ta pranojë pushtetin e kësaj familje si pushtet të trashëguar.

Gjilani nĂ« kohĂ«n e sundimit tĂ« PerandorisĂ« Osmane, njĂ« herĂ« i takonte Sanxhakut tĂ« VushtrrisĂ« nĂ« Vilajetin e KosovĂ«s e pastaj edhe Vilajetit tĂ« Prizrenit, sipas rregullimit tĂ« atĂ«hershĂ«m administrativ tĂ« shtetit osman, nuk ishte ndonjĂ« vendbanim i madh pĂ«r t’u bĂ«rĂ« qendĂ«r administrative.

TĂ« ngjajshme