Zgjedhjet në Serbi dhe Lugina e Preshevës
Shkruan: Skender Berisha
Është bërë problem i kahershëm pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si një nga shumë mënyra të spastrimit etnik. Por, kësaj radhe një proces të tillë po e ndihmon edhe një organizim i dobët strategjik elektoral dhe intelektual Shqiptarë, që në zgjedhjet e fundit në Serbi dolën me një rezultat të dobët.
Ndarja në dy lista zgjedhore në zgjedhjet e fundit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës do t’i kontribuon edhe më shumë procesit te spastrimit etnik dhe jetës pasive të qytetarëve.
Ndikimi indirekt në mirëqenien e qytetarëve në mungesë të përfaqësimit sa më të madh dhe sa më dinjitoz, nuk mbushi mend politikëbërësit e Luginës.
Dihet se e ardhmja e kësaj zone ka kohë që është lënë pas dore, faktori kryesor dhe më me ndikim është pushteti, por faktorë ndihmues indirekt për këtë çështje janë edhe mos bashkëpunimet në mes të subjekteve politike shqiptare.
Zgjedhjet e fundit në Serbi treguan qartë se shqiptaret e ndarë nuk mund të jenë të përfaqësuar denjësisht në parlamentin serb.
Interesi i qytetarëve shqiptarë u devijua nga vetë liderët shqiptarë, duke mos dhënë maksimumin e tyre në bashkimin e ideve dhe politikave zhvillimore të Luginës.
Kjo mundësi e humbur e politikanëve shqiptarë është e papranueshme, dhe kërkon një rishikim të spektrit politik dhe rrugës që po ndjekin ata.
Përfaqësuesit shqiptarë humbën shansin e rritjes së ndikimit në politikën e Serbisë, dhe kjo kërkon adresim!
Në anën tjetër shteti Shqiptar dhe Kosova duhet të marrin më seriozisht kërkesat dhe problemet që i preokupojnë qytetarët shqiptarë të Luginës. Ndihma e deritanishme karshi këtyre qytetarëve ka qenë minimale.
Ata kanë shpresë tek qeveria shqiptare dhe ajo kosovare që në të ardhmen të jenë të gatshëm t’i marrin mbi supet e tyre problemet e Luginës, t’i trajtojnë ato në mënyrë institucionale, dhe mos të lihen në mëshirë të fatit, dhe dinjiteti i tyre të mos nëpërkëmbet. Të gjithë duhet të jemi pjesë e pandashme dhe e zgjidhjeve të problemeve që kanë qytetarët e Luginës.