Zëra të njohur të radio-historisë në Kosovë
Emisionet informative të Radio Prishtinës do të mbeteshin të mangëta pa lajmet dhe raportimet informuese të gazetarëve korespondentë nga qendra të ndryshme të Kosovës.
Në lajmet e korrespondentit nga Gjilani, Nexhat Mustafa (1940-1993), binte në sy saktësia dhe shpejtësia e raportimit.
Një vend të veçant në punën e tij si gazetar zinin informacionet e reportazhet për emisionet informative ditore dhe disa nga emisionet javore të radios.
Gjatë viteve 1970-1990 Gjilani, si qendra më e rëndësishme e pjesës lindore të Kosovës, përjetonte një zhvillim të hovshëm ekonomik, gjë që nuk e kishte përjetuar asnjëherë më parë.
E gjithë kjo bashkë me zhvillimet më të rëndësishmepolitiko-shoqërore dhe kulturo sportive do të bëhen pjesë e lajmeve dhe informacioneve të tij nga Rrafshi i Moravës.
Ai u lind më 1940 në Gjilan, kurse Fakultetin Ekonomik e kishte mbaruar në Beograd.
Për një kohë punoi si mësues në fshatin Kishna Polë dhe referent në bashkësinë vetëqeverisëse të interesit (BVI) për punë.
Atëherë kishte filluar që kohë pas kohe të mirret me gazetari ndërkaq nga viti 1973 i përkushtohet vetëm gazetarisë, duke u bërë korrespondent i rregullt i Radio Prishtinës.
Bashkë me disa intelektualë të tjerë entuziast në po këtë vit ai do të vë edhe gurin themeltar të radiostacionit rajonal Radio-Gjilani, i cili për një kohë të shkurtër do të shndërrohet në një medium të rëndësishëm informues dhe i dashur për dëgjuesit dhe atë jo vetëm në rajonin e Gjilanit, por edhe më gjerë.
Kolegu i tij nga Gjilani, Nexhemedin Ymeri, duke punuar afër me te për vite të tëra, e përshkruan Nexhat Mustafën si njeri me energji të pashoqe, me temperament të njeriut përherë vital, i afërt e i shkathët, serioz e dinjitoz, komunikues e i sinqertë, i gatshëm për t`i ndihmuar pa përtesë kolegët, miqtë e shokët.
I këtillë ishte Nexhat Mustafa edhe për kolegët e Radio Prishtinës ku vinte kohë pas kohe. Me punën dhe angazhimin e tij si gazetar dhe redaktor u përpoq që këtë frymë ta krijojë dhe ta përhapë edhe te kolegët e tij që punonin si korrespondent. Nexhat Mustafa ishte aktiv edhe në fusha tjera të jetës dhe veprimtarisë së Gjilanit ku veçohet fokusimi i tij në afirmimin e sportit dhe të sportistëve gjilanas./Shuquri S. Sejdijaj/