URIMI I DREJTORIT TË SHFMU ” Hanumshahe dhe Tefik Zymberi” Pasjak. Për 7 Mars , Ditën e Mësuesit!
Të nderuar e shumë të respektuar, mësuesë e mësuese tona, kudo që jetoni e punoni , urime 7 Marsin, Ditën Tuaj të Shenjtë.
Duke kujtuar këtë ditë, ne pa dyshim kujtojmë një nga ditët më të shënuara dhe më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Misioni i mësuesit shqiptar u shndërrua në mision të shenjtë, duke ia atribuar krejt çështjen arsimimit, edukimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare. Pa mësuesin nuk do të ishim sot këtu ku jemi si komb, nuk do të kishim një zhvillim të tillë dhe nuk do të kishim premisa për një të ardhme të ndritur.
Mësuesi shqiptari dha vlerën jetës dhe të ardhmes tonë,
ai e ngriti shoqërinë tonë duke e hequr nga errësira shekullore, ku armiq të shumtë e penguan qëllimin e mësuesit shqiptar. Mësuesit tanë punuan në kushte të dhunës, duke mos u paguar për asnjë qindarkë, duke e rrezikuar edhe jetën e tyre, duke e mbajtur gjallë arsimin edhe në shtëpi shkolla, vetëm e vetëm për të frymuar dhe edukuar në gjuhën shqipe.Këtu, vlen të ceket edhe herioizmi i tyre që bënë në periudha të ndryshme historike, duke u flijuar në krye të detyrës, duke rënë dëshmorë në mbrojtje të shkollës shqipe, kishte shumë të tillë, por me këtë rast do të veçoj mësuesin Halit Geci, i cili duke zhvilluar orën e mësimit në gjuhën shqipe vritet në klasë nga policia dhe ushtria serbe, si dhe mësuesin Shaban Jashari, i cili u mbajti mësim edhe nipërve të tij se si duhet luftuar për lirinë dhe kombin shqiptar, duke rënë dëshmor në Ditën e Mësuesit, më 7 Mars 1998.
Mësues, puna juaj është e çmuar, ajo ka vlerë të veçantë, ju asnjëherë nuk shpaguheni për kontributin tuaj!
Vepra juaj është fisnike, ajo ngjall dashuri për dije, ajo mbjell dritë për kombin, ajo nxjerr nga errësira dhe zhvillon popullin. Urime dhe gëzuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit.
/Zerogjasht /