U shënua 30 vjetori i themelimit të paraleles së ShML “Medreseja Alauddin” në Gjilan
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të paraleles së ShML “Medreseja Alauddin”, në Gjilan.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi se, gjatë mandatit të saj, është punuar pa u ndalur për të siguruar që çdo fëmijë të ketë mundësinë të shfrytëzojë të drejtën e shkollimit. Ajo vuri theksin në rëndësinë e përfshirjes së vajzave në arsim, duke siguruarqë asnjë vajzë të mos pengohet për të vazhduar arsimin,
pavarësisht nga besimi apo orientimi.
Ministrja Nagavci vlerësoi historikun e gjatë të “Medresesë Alauddin” në shkollimin dhe edukimin e të rinjve me arsim, kulturë dhe atdhedashuri.
Ministrja Nagavci gjithashtu theksoi se, “Medreseja Alauddin” ka shërbyer si një qendër e lëvizjes çlirimtare, duke ofruar mbështetje të pakursyer dhe duke bërë rezistencë ndaj pushtuesit në shumë forma.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se, në pak institucione dhe pak vende gërshetohen vlerat kombëtare dhe dëshira për dije sikurse në këtë institucion, elemente këto që doemos na dërgojnë drejt asaj që është hyjnore.
Ndërsa, kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava theksoi se, shkolla është institucioni i dytë pas familjes që përkujdeset për edukimin e fëmijëve, andaj duhet të dijmë se mësimdhënësit janë duke kryer një detyrë të shenjtë.
Drejtori i paraleles së ShML “Medreseja Alauddin”, në Gjilan, Fadil Hasani foli për historikun e shkollës, kontributin e themeluesëve të saj, si dhe punën e angazhimin e stafit, në përgatitjen dhe mirëedukimin e kuadrove të reja.