U mbajt ceremonia e shënimit të fillimit të Klinikës Ligjore për Mbrojtjen Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan respektivisht Fakulteti Juridik në bashkëpunim me Programin për të Drejtat Civile në Kosovë (CRPK) dhe financuar nga UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatë, organizoi sot ceremoninë e hapjes së Klinikës Ligjore për Mbrojtjen Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pa-shtetësia.
Në këtë ceremoni morën pjesë rektori i universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku; Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka; Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Ass. Dr. Fatmire Krasniqi; dhe u.d. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Selim Daku. Ata mirëpritën Shefin e Misionit të UNHCR në Kosovë, z.
Arjun Shrestha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.Pas takimit, përfaqësuesit e universitetit dhe UNHCR takuan studentët që do të marrin pjesë në Klinikën Ligjore për pesë javët e ardhshme. Rektori Dërmaku theksoi rëndësinë e këtij programi për universitetin dhe për studentët e Fakultetit Juridik, duke nënvizuar se përvoja praktike e fituar përmes klinikës do t’i pajisë studentët me aftësi jetike për karrierën e tyre si juristë. Sipas tij, kjo klinikë ligjore, e përqendruar në azil, mbrojtjen e refugjatëve dhe personave pa shtetësi, do të ndihmojë në zhvillimin profesional të studentëve dhe do t’i përgatisë për tregun e punës në bashkëpunim të ngushtë me akterët e drejtësisë në Kosovë.
Arjun Shrestha, Shefi i Misionit të UNHCR në Kosovë, foli për qëllimin e Klinikës Ligjore, e cila është krijuar për të ofruar një bazë të fortë njohurish në Ligjin Ndërkombëtar për Refugjatët, me theks të veçantë në parimin e mos-kthimit dhe procedurat për përcaktimin e statusit të refugjatit dhe pa-shtetësisë. Ai shtoi se ky projekt synon të përgatisë studentët për proceset administrative dhe gjyqësore që lidhen me kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare.
Prorektori Leka, Dekanja Krasniqi dhe u.d. Dekani Daku shprehën mirënjohjen e tyre për këtë iniciativë, duke e cilësuar Klinikën Ligjore si një mundësi të vyer për studentët për të zhvilluar aftësitë praktike dhe për t’u përgatitur për tregun e punës.
Në fjalën e tyre, Merita Ahma, zyrtare për mbrojtje ligjore në UNHCR, dhe Memli Ymeri, drejtor i Programit për të Drejtat Civile – Kosovë (CRP/K), sqaruan se gjatë Klinikës pesë-javore, studentët do të ndjekin ligjërata mbi mbrojtjen ndërkombëtare, do të marrin pjesë në simulime të rasteve dhe diskutime të vazhdueshme. Do të organizohet gjithashtu një vizitë në Qendrën e Azilit për të siguruar një përvojë të drejtpërdrejtë. Në përfundim të programit, studentët do të pajisen me certifikata pjesëmarrjeje.
Kjo Klinikë Ligjore përbën një hap të rëndësishëm për edukimin praktik të studentëve dhe mbështetjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në rajon, duke promovuar sisteme të ndjeshme të menaxhimit të migracionit.