Tahiri: Pagat nuk dolën deri në orën 24:00, qeveria ka kryer shkelje flagrante
Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se mosekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë brenda ditës se djeshme është shkelje flagrante ligjore.
Ai ka bërë me dije se neni 7 i Ligjit për Pagat thotë se pagat për zyrtarë publikë duhet të realizohen më së voni ditën e fundit të muajit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se mosekzekutimi i pagave paraqet shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
“Mos ekzekutimi i pagave nga qeveria është një shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve dhe një dështim total i institucioneve. Neni 7, paragrafi 4, i Ligjit për Pagat thotë qartë se, pagat duhet t’u dalin punëtorëve më së voni ditën e fundit të muajit. Kjo do të thotë se sonte deri në orën 24:00, nëse nuk realizohen, Qeveria është në shkelje të rëndë ligjore. Në fakt, shkelja ka ndodhur që nga ora 16:00, kur përfundon orari zyrtar i punës”, ka shkruar Tahiri.
Zyrtarëve publikë ende nuk iu janë dalë pagat e muajit shtator. Ministria e Financave nuk ka bërë ekzekutimin e pagave pasi që ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit i ka skaduar mandati.
Zyra për media e Ministrisë së Financave ka thënë të martën pagat ende nuk janë ekzekutuar por nuk ka dhënë detaje se pse ka ndodhur ky bllokim brenda administratës shtetërore./Reporteri.net/