Tahir Zemaj: Ramushi ka qenë një luftëtar-diversant shumë trim, por disa rreth tij kanë vjedhur
Tahir Zemaj – libri Kështu foli Tahir Zemaj:
Kur panë që ne qemë shumë të vendosur e kompakt, dhe që nuk kishim ndërmend të shpërndaheshim si zogjtë e korbit nëpër Kosovë, se ne nuk lëshonim pe në pikën tonë kryesore, siç qe ajo e hyrjes dhe e veprimit tonë luftarak në të mirë të Kosovës, ashtu siç ishim, atëherë ata na kërcnuan se “ ju nuk do të guxoni dhe s’keni për të pasur shans ta kaloni fshatin Junik”. Sali Veseli na dërgoi një letër, në të cilën thuheshin fjalët e mësipërme, duke na paralajmëruar që të mos e nisnim marshiminpër në fshatin Junik pasi “do të priteshim me dhunë”.
Pasi e informova dhe u konsultova me Shtabin Suprem dhe me Zotni Krasniqin për këto fërkime, kam kërkuar mendimin e tij. Iniciatorë kryesorë të këtij incidenti kanë qenë Sali Veseli dhe Naim Maloku. Ramush Haredinaj qe më i pavendosur, nuk ka ngulur shumë këmbë, të paktën në ato dy takime. Ai dukej se punonte me kokën e dikuj tjetër dhe ndoshta ka qenë edhe i manipuluar. Nga Shtabi më porositën të mos humbja kohë, ta kryeja fazën e tretë të marshimit. Më sugjeruan të lija në fshatin Jasiq dy oficerë për të kontaktuar me dërgesat e armatimeve që prisnim. Kam vendosur të lë aty Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin.