Sporti s`është vetëm aktivitet fizik, por edhe shëndet mendor e shpirtëror
Shkruan:Agim Dërmaku
Në çdo vend të botës e në çdo qytet, sporti konsiderohet një vlerë e rëndësishme e shoqërisë, por në Kamenicë, kjo vlerë po venitet ditë e më shumë.
Të gjithë e dimë se futbolli është loja sportive më e popullarizuar pothuajse në gjithë globin, kurse në qytetin tonë, as kushtet adekuate nuk ofrohen për klubet e futbollit.
Kjo duhet të jetë një shqetësim i madh për shoqërinë dhe jo vetëm për mua si trajner i futbollit, sepse përfitimet nga sporti janë të mëdha, si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët.
Sporti nuk është vetëm aktivitet fizik trupor, por është edhe shëndetmendor e shpirtëror,
njashtu, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët.Përfshirja në sport mund të ndihmojë në krijimin e shprehive të punës dhe përfitime shëndetësore te kjo kategori, që zgjasin deri në moshën madhore dhe për gjithë jetën.
Fëmijët që nga mosha 5 vjeçe duhet të realizojnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik në ditë, me intensitet të moderuar.
E dimë se fëmijët, zakonisht janë aktivë në shkollë çdo ditë, por a është i mjaftueshëm ai aktivitet për fëmijët tanë? Me siguri se jo.
Në sa më shumë aktivitete fizike të përfshihen fëmijët, aq më mirë është për ta, sepse përfitimet janë më të mëdha.
Disa nga këto përfitime përfshijnë rritjen e aftësisë kardiovaskulare, shëndetin e kockave, uljen e rrezikut të obezitetit, përmirësimin e gjumit dhe koordinimin dhe ekuilibrin më të mirë.
Po ashtu sporti ka një rol të rëndësishëm në shëndetin mendor te fëmijët, sepse mund të ndihmojë në menaxhimin e stresit, ankthit dhe depresionit.
Fëmijët që merren me sport, janë të përgatitur të reflektojë gjatë gjithë jetës pozitivitet dhe të kenë një jetë sociale më të mirë.
Brenga ime është se kjo mundësi nuk po u jepet fëmijëve tanë, sepse kushtet janë shumë të dobëta, duke filluar nga bari sintetik në fushë e tutje me radhë.
Si pasojë e kësaj do të jetë humbja e vullnetit të të rinjve për t`u angazhuar në sport, po aq sa ekziston mundësia për abuzim me kohën derisa nuk janë në shkollë?
Shtrohet pyetja: Çfarë mund të ndodh me shëndetin fizik dhe mendor të tyre?
Si shoqëri, a jemi duke u kujdesur aq sa ua kemi borxh fëmijëve tanë?
Si duket udhëheqja e sportit në komunën tonë nuk po e kryen obligimin e vet, apo e gjithë udhëheqja e Komunës po e kthejnë kokën anash, duke e lënë shoqërinë të dëshpëruar sa i përket sportit. Shpresoj që përgjegjësit këtu të vetëdijesohen edhe më shumë për rëndësinë e sportit në komunën tonë dhe kudo në Kosovë dhe së paku të ofrohen kushte të mira për të vazhduar me aktivitete, në mënyrë që të kemi një shoqëri sa më aktive dhe sa më të shëndoshë.
……………………..
(Autori është trajner i KF ‘Bashkimi’ Koretin