Si të ushqeheni për një zemër të shëndetshme
Ajshe Ibrahimi – nutriciste&dietologe
(Dedikuar Ditës Botërore të Zemrës)
Ushqimi dhe dieta luajnë një rol të madh në parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Mbajtja e një diete të mirë, mund të zvogëlojë rrezikun për sëmundjet e zemrës. Kjo është e vërtetë edhe nëse keni një histori familjare ose predispozitë gjenetike për sëmundjet e zemrës.
Dieta mesdhetare është e njohur për reduktimin e rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve të zemrës. Kjo dietë fokusohet në një përbërje të lartë me fruta dhe perime, të cilat janë aleate të fuqishme në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Perimet me gjethe jeshile dhe perimet tjera, janë të pasura me vitamina,
minerale dhe fibra dhe kanë pak kalori. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e zemrës.Në këtë grup te perimeve bëjnë pjese: spinaqi, brokoli, lulelakër, karota, hudhrat fasulja, bizelja, patatja, qepët, avokado, domatet.
Në grupin e frutave bëjnë pjesë: molla, portokalli, dardha, boronica, luleshtrydhe, mandarinat, fiqtë, manaferra, bananet, ananasi, shega, pjepri, limoni, kivi, qershitë.
Drithërat – sigurojnë vitamina, minerale dhe fibra që ndihmojnë për ta mbajtur zemrën të shëndetshme.
Salmoni – është i pasur me acide yndyrore të shëndosha dhe omega 3. Konsumimi i tij dy herë në javë zvogëlon për 30 % mundësinë e vdekjes nga sulmi në zemër.
Arrat – Shumica e arrave përmbajnë yndyra të shëndetshme, vitaminë E dhe substanca të tjera natyrore, që ndihmojnë për të mbajtur nivelet e kolesterolit në kontroll. Arrat janë gjithashtu një burim i mirë i acideve yndyrore omega-3 me bazë bimore si dhe bajamet, farat e lulediellit, fara kia, farat e lirit etj.
Qumështi – është një tjetër ushqim i mirë për sëmundjet e zemrës, por për të kuruar këto probleme rekomandohet qumështi pa yndyrë.
Yndyrat dhe vajrat – Vaji ullirit është një mrekulli për zemrën. Ai përmban acide yndyrore të pangopura, të cilat në mënyrë pozitive veprojnë në metabolizmin e yndyrave në mëlçi, rregullojnë kolesterolin, mbrojnë zemrën, gjë që pakëson mundësinë e prekjes nga sëmundjet e ngurtësimit të enëve të gjakut, infarktit, trombozës dhe rregullojnë tensionin e gjakut mandej rol te rëndësishëm luan dhe vaji i kokosit, dhe vaji peshkut.
Avokado – është e pasur në yndyra të shëndetshme, të ngjashme me vajin e ullirit, përveç se përmban shumë vitamina dhe fitokemikale që veprojnë si antioksidantë për të mbrojtur zemrën dhe pjesë të tjera të trupit.
Çokollata e zezë – Studiuesit tani besojnë se sëmundjet e zemrës dhe tensioni i gjakut janë sëmundje të rralla në ishujt San Blas-Islande, pasi njerëzit atje konsumojnë shumë çokollatë të zezë. Ajo përmirëson qarkullimin e gjakut në vena.
Vera e kuqe – Përmban polifenole që mund të jenë të mira për zemrën tuaj. Por të jeni të sigurt që ta shijoni verën e kuqe në mënyrë të moderuar.
Ushqimet që duhen evituar
Ju gjithashtu do të duhet të shmangni ose kufizoni disa ushqime që përkeqësojnë sëmundjen e zemrës, siç janë mishrat e përpunuar (sallamat ose salsiçet) te cilat kanë nivele të larta të yndyrave të ngopura.
Shumë studime kanë zbuluar se ngrënia e ushqimeve të skuqura – siç janë patatet, apo çdo ushqim tjetër i shpejtë – rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Pijet me ëmbëltues shtesë, patatinat, ëmbëlsirat e pjekura, veçanërisht ato që shiten të paketuara nëpër dyqane janë plot me sheqer dhe me gjasa janë të gatuara me yndyra të ngopura siç është vaji i palmës ose margarina, brumërat, karamelet.
Sipas shume studimeve shkencore, pijet e gazuara, kanë lidhje me zhvillimin e obezitetit dhe diabetit që rrisin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës.
Mos harroni, një dietë e shëndetshme nuk është faktori i vetëm që duhet marrë parasysh kur lindin shqetësime në lidhje me shëndetin e zemrës.
Diabeti është një faktor serioz rreziku për sëmundjet e zemrës. Ai ka efekte të dëmshme në organet e shumta në trup kur nuk trajtohet dhe mund të çojë në sëmundje të arterieve periferike, goditje në tru, dhe komplikime të tjera.
Nëse keni diabet, menaxhoni gjendjen tuaj për të parandaluar sëmundjet e zemrës.
Masat parandaluese të sëmundjeve të zemrës për njerëzit me diabet përfshijnë: marrjen e kontrolleve të rregullta nga mjeku, një dietë e shëndetshme, aktivitetet fizike.
Tensioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni, mund të rrisë stresin në sistemin tuaj kardiovaskular dhe të kontribuojë në sëmundjet e zemrës.
Matja e shtypjes së gjakut dhe analiza e nivelit të kolesterolit në gjak, janë faktorë të cilët mund t’u ndihmojnë të parandaloni sëmundjet e zemrës, pasi që këta janë dy faktorë paraprijës të çrregullimeve kardiovaskulare.
Mund ta ulësh tensionin e gjakut përmes: dietës-ushqimit, aktiviteteve fizike, menaxhimit të peshës, duke shmangur stresin, duke shmangur duhanin, duke kufizuar marrjen e kripës, konsumin e alkoolit.
Aktivitetet fizike dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme janë gjithashtu jetësore për uljen e presionit të gjakut dhe parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Sipas Klinikës Mayo, ekspertët rekomandojnë të paktën 30 minuta stërvitje në ditë, ose 30 deri në 60 minuta ushtrime shumicën e ditëve të javës. Ushtrimet nuk duhet të jetë intensive.
Stresi prek të gjithë në mënyra të ndryshme. Ekziston një lidhje midis njerëzve që përjetojnë nivel të lartë të stresit gjatë periudhave të gjata dhe sëmundjeve të zemrës.