Shtyu një person në korridor se nuk kishte maskë, Policia jep detaje për konfliktin në KQZ ku u përfshi Kurteshi
Ditën e djeshme, Sami Kurteshi ka mohuar se e ka sulmuar dikë në KQZ, mirëpo policia kishte njoftuar se ka nisur hetimet dhe ka hapur rast për sulm, shkruan Express.
Dëshmitarë nga KQZ-ja, jozyrtarisht dje i kanë thënë Expressit se ai e ka sulmuar fizikisht një zyrtar.
Ndërsa në raportin 24 orësh, policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth këtij rasti të ndodhur dje. Viktima ka deklaruar se në korridor të objektit është shtyre dhe larguar nga korridori nga i dyshuari për shkak se viktima nuk e kishte maskën.
Lidhur me rastin janë intervistuar dy dëshmitar rasti, gjithashtu është njoftuar prokurori ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
“Rr. Migjeni, Prishtinë 25.08.2021 – 12:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën. Lidhur me rastin janë intervistuar dy dëshmitar rasti. Është njoftuar prokurori, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24 orësh
Klan Kosova duke u thirrur në burime gjatë ditës së djeshme ka raportuar se Kurteshi e ka sulmuar fizikisht një zyrtar të KQZ-së, për shkak se i njëjti nuk e kishte vënë maskën.
E një gjë të tillë, Kurteshi e ka mohuar.
Ai për Express, ka thënë se raportimet se ai ka sulmuar dikë në KQZ janë gënjeshtra.
Kurteshi njihet në publik për debatet e ashpra me anëtarët e tjerë në KQZ.
Kurteshi para se të vihej në pozitën e anëtarit në KQZ, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, gjatë viteve 2017-2019.