Sa herë në vit mund të dhurojë gjak një person
A e keni ditur se në botën e mjekësisë transfuzive, dhuruesit e gjakut quhen “heronjtë e pakënduar”. Këta heronj mund të dhurojnë gjak 3 deri në 4 herë në vit, por jo më shpesh. E intervali në mes dhurimeve standarde duhet të jetë më i madh se dy muaj për të dyja gjinitë. Kështu ka thënë për portalin rtv21.tv drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi.
“Numri maksimal i dhurimeve standarde ndalohet të jetë më shumë se katër (4) herë në vit për meshkuj dhe tri (3) herë në vit për femra”, ka konfirmuar Zhubi.
Një person lejohet të dhurojë gjak nga mosha 18-65 vjeç. Sipas drejtoreshës, Zhubi, dhuruesi i gjakut duhet t’i plotësojë kriteret mbi përshtatshmërinë fizike e shëndetësore.
Megjithkëtë, ka përjashtime në moshë edhe një 17 vjeçar/e mund të dhurojë gjak!
“Lejohet marrja e gjakut edhe nga mosha shtatëmbëdhjetë (17) vjeçare, me kusht që, mjeku të konstatojë plotësimin e kritereve mbi përshtatshmërinë fizike e shëndetësore për dhurimin e gjakut dhe jo më shumë se dy (2) herë në vit. Dhurimi i gjakut poashtu lejohet mbi moshën gjashtëdhjetepesë (65) vjeçare, nëse është dhurues i rregullt dhe plotëson kriteret mbi përshtatshmërinë fizike e shëndetësore për dhurimin e gjakut”, ka thënë tutje Bukurije Zhubi për portalin rtv21.tv.
Drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi ka folur edhe për përfitimet shëndetësore të personit që dhuron gjak.
“Në bazë të të dhënave shkencore, dhurimi i gjakut nga personat të cilët i plotësojnë kriteret mbi përshtatshmërinë fizike e shëndetësore për dhurimin e gjakut, nuk cenon shëndetin e tyre, dhe sasia e gjakut të dhuruar rigjenerohet nga organizmi i tyre brenda një periudhe të shkurtër. Në literaturën shkencore numërohen edhe benefite shëndetësore për vetë dhuruesin e gjakut. Gjaku dhe përbërësit e gjakut nuk kanë alternativë farmakologjike, dhe në parim transfuzioni i gjakut ka qëllim jetëshpëtues. Përfitimi më i madh i dhuruesve të gjakut është vetë akti i tyre fisnik-ndjenja që me veprimin e tyre kanë shpëtuar së paku një jetë. Nuk është çudi që në botën e mjekësisë transfuzive, dhuruesit e gjakut quhen “heronjët e pakënduar””, ka thënë ajo.
Por, sipas Zhubit janë disa raste të cilat nuk lejohet që një person të dhurojë gjak.
“Dhurimi i gjakut nuk lejohet kur plotësohen kriteret shëndetësore për ndalimin e përkohshëm ose të përhershëm të dhurimit të gjakut, ose kur ekziston dyshimi i bazuar se dhurimi i gjakut mund të rrezikoj shëndetin e dhuruesit të gjakut ose pacientit. Sëmundjet infektive të transmetueshme përmes gjakut janë njëri prej kritereve”, ka thënë për portalin rtv21.tv Bukurije Zhubi. 65-75 % të nevojave të pacientëve për gjak dhe përbërës të gjakut në institucione shëndetësore në Kosovë, sigurohet nga dhuruesit vullnetarë të gjakut. Gjatë vitit 2021 vetëm nga dhuruesit vullnetarë, janë siguruar afro 29 mijë doza gjak./21Media