Rexhep Malaj-Simbol i sakrificës dhe atdhedashurisë
Shkruan: Sefedin Rahimi – Profesor në Fakultetin e Edukimit të Universitetit “ Hasan Prishtina”
( Fjalë rasti për tryezën e organizuar për nderë të “Flakës së Janarit” Gjilan, më 14.1.2023)
Duke i parë e hulumtuar disa nga shkrimet që u janë kushtuar këtij vigani me rastin e përvjetorëve dhe organizimit të “Flakës së Janarit” e shtroj një pyetje vetës dhe gjithë komunitetit shkencor e institucioneve tona lokale e qendrore, se a jemi ka ju dalim haku veprës dhe sakrificës që bënë të gjithë dëshmorët e kombit e veçanërisht ata të regjionit tonë?, pa i përmendur emrat e tyre të shumtë sepse ështënjë listë e tërë,
që vetëm gjatë shekullit XX i kemi me qindra të tillë. Ku secili është histori në vete, por edhe shembull i heroizmit, sakrifices dhe atdhedashurisë, i tillë ishte edhe Rexhep Malaj.I lindur në Hogosht të Kamenicës, më 29 mars të vitit 1951. Nga prindërit Mehmeti dhe nëna Fahrije. Rrjedhë nga një familje e brumosur me vlera atdhedashëse. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren, i mbaroi në vendlindjen e tij, në Hogosht. Familja e tij shpërngulet në Gjilan dhe ai vijon shkollimin e mesëm në gjimnazin, “Zenel Hajdini”. Duke qenë një temperament shpërthyes dhe shumë komunikues e solidar me shokët, Rexhep Malaj fillon të dallohet në mesin e nxënëseve të tjerë, në radhë të parë për guximin, solidarizimin dhe qëndrimin e hapur atdhetar. Edhe pse i ri në moshë, sikur shumë moshatarë të tjerë, ka marrë pjesë aktive në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, që u organizuan edhe në Gjilan sikur se në gjithë Kosovën, ku ishin paraqitur kërkesa për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, dhe kërkesa që janë të njohura për apinionin dhe botën akademike.
Në rrugën e tij, duke rënë e duke u ngritur, ai kryen tri vitet e gjimnazit, në Gjilan, ndërkohë që ishte përjashtuar nga shkolla për veprimtari, të cilën pushteti e konsideronte si aktivitet armiqësor, antijugosllav, seperatist e iredentist. Vitin e fundit të Gjimnazit e kishte kryer në Preshevë, falë mirëkuptimit të profesorëve liridashës, të cilët nuk e kursenin mundin e djersën për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë të arsimoheshin dhe të kaliteshin në rrugën e gjatë të farkimit të idealeve çlirimtare. Një vit shkollor ka punuar me ditar në dorë me nxënësit e fillores në fshatin Marec. Pastaj regjistrohet në Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë. Kalon kufirin ilegalisht dhe qëndron disa muaj në Shqipëri, ku vendos kontakte me disa kuadro të larta të shtetit shqiptar. Dënohet për kalim ilegal të kufirit, ashtu sikur ishte dënuar më parë edhe për pjesëmarrje në demonstratat e Nëntorit të vitit 1968.
I dhënë me tërë qenien në aktivitete të fshehta patriotike, Rexhep Malaj sikur kishte zënë hapin më specifik në mesin e gjeneratës së tij, në rrugëtimin e vështirë dhe plot pengesa e sfida në rrugën e lirisë. Ai, qysh prej fillimit të angazhimit të tij në Lëvizje, gjithnjë kishte bërë një hap më para se të gjithë bashkëveprimtarët. Hapat e tij ishin vendimtarë, meqë asnjëherë dhe pothuajse në asnjë rast nuk ishte hamendësuar në veprimet e tij, madje as atëherë kur kishte konstatuar se ishte ngutur. Duke lexuar shkrimet e tij në burg, afishet, komunikatat dhe duke biseduar me bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij, fitohet përshtypja realiste se Rexhep Malaj iu kishte përkushtuar rrugës së çlirimit me çdo kusht, pikërisht sipas motos së njohur më vonë, të Ukshin Hotit, – “Bëje ose vdis”!. E tërë vepra dhe jeta e tij ishte strukturuar brenda kësaj motoje. Ai e bëri dhe ra dëshmor për çlirim dhe liri.
Në kohën e studimeve në Prishtinë intensifikon veprimtarinë atdhetare dhe njëkohësishtë, kontakton dhe përforcon radhët me kreun e Lëvizjes Çlirimtare. Asokohe vë kontakt dhe bisedon me idealistin e njohur të kohës, simbolin e rezistencës, Adem Demaçi, i cili sapo ishte liruar nga burgu i dytë dhe i cili me të drejtë konsiderohej dhe konsiderohet si promotor i Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar. Takimi me Demaçin, Rexhep Malajt i jep edhe një shtytje të fortë në rrugën e tij të pandalshme për asnjë çast drejt zgjerimit të radhëve dhe intensifikimit të veprimeve me forma e metoda më radikale. Për këtë qëllim ai largohet nga vendi dhe ilegalisht qëndron një kohë në disa shtete të Evropës, nga ku gjithnjë ilegalisht sjellë në Kosovë literaturë, por edhe armë.
Në vitin 1975 UDB-ja jugosllave, pasi më parë i kishte arrestuar i dënon me burg të rëndë krerët e Organizatës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, me ç’ rast Rexhep Malaj dënohet nëntë vjet burg të rëndë. Burgun e ka mbajtur në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren (Kosovë) Zenicë, (Serbi) Shtip, Idrizovë, afër Shkupit në Maqedoni dhe në Foçë e në Mostar të Bosnjës e Hercegovinës. Më 23 maj të vitit 1983, pas 8 viteve të golgotës së kaluar nëpër kazamatet e Jugosllavisë, lirohet nga burgu, jo i thyer e i lodhur nga torturat, por i çelikosur dhe i paepur për të mos ndaluar as për një çast rrugën drejt lirisë. Bashkëvuajtësit e tij rrëfejnë për maltretimet që iu kishin shkaktuar në çdo burg, për dhunën intensive që ishte ushtruar kundër tij, meqë ai përveç se ishte i pathyeshëm, këtë ndjenjë temperamenti e manifestonte hapur për ta sfiduar rendin, personelin e burgut, gardianët dhe tërë aparaturën sunduese. Rexhep Malën e kam parë vetëm një herë të “ligështohej”, përkatësisht kur kuptoi për vrasjen e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Ndërsa rasti i dytë kur e kam parë “të ligështuar” Rexhep Malën ishte data e 23 majit 1983 kur u lirua nga Burgu i Mostarit sepse aty mbetën në vuajtje të dënimit edhe shumë shokë të idealit.
Tetë muaj pas daljes nga burgu, në natën e 11-12 janarit të vitit 1984, së bashku me shokun e lirisë, studentin, Nuhi Berisha, rrethohet nga policia serbe në një vendqëndrim ilegal në Prishtinë, në një shtëpi të lagjes, e cila sot quhet “Kodra e Trimave”. Duke qenë se tashmë kishte krijuar edhe celulën e armatosur, ai së bashku me shokun e tij të idealit kishte vendosur të mos dorëzohej, me qëllim që me sakrificën e tij për liri e Atdhe, të çonte një hap përpara idealin e lirisë dhe t‘i tregonte pushtuesit serb e jugosllav se rinia shqiptare e Kosovës nuk ishte dorëzuar, edhe pse regjimi kishte burgosur e dënuar dhjetëra mijëra liridashës shqiptarë.
Rexhep Malaj kishte frymëzim luftën guerile të Skënderbeut, filozofinë politike dhe ushtarake të Hasan Prishtinës, guximin dhe gatishmërinë për sakrificë të Isa Boletinit, patriotizmin dhe vendosmërinë e Hoxhë Idriz Gjilanit dhe të Idriz Seferit, ndërkaq që bacën Adem Demaçi e kishte frymëzim të përhershëm, të pazëvendësueshëm dhe të pakundërshtueshëm. Mirëpo, për Rexhep Malën, Shqipëria ishte, mbi të gjitha, çlirimi dhe bashkimi kombëtar, mosdorzimi dhe flijimi i tij për liri. Liri të cilën ne sot po e gëzojmë.
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit shqiptarë, lavdi jetës dhe veprës së Rexhep Males!