Rëndësia e Lojës në zhvillimin e fëmijëve!
Loja konsiderohet si një pjesë e rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve. Fëmijët mësojnë për botën përmes lojës. Fëmijët janë qenie sociale të cilat dëshirojnë të ndërveprojnë dhe komunikojnë.
Shkruan: Endrit Osmani
Kur fëmijët luajnë ata mësojnë për veten dhe për të tjerët. Nëse fëmijët kanë një ”punë” ajo është loja. Përmes lojës ata janë në gjendje të vetërregullojnë gjendjen e tyre emocionale, të bashkëveprojnë me bashkëmoshatarët, edukatorët, dhe mjedisin rrethues. Loja është pjesa më e mrekullueshme e një fëmije.
“Fëmijët e shohin lojën e tyre si diçka serioze dhe ata shpenzojnë shumë energji dhe emocione në të. E kundërta e lojës nuk është
çfarë është serioze, por çfarë është e vërtetë” . Gjithashtu Frojd ka pohuar se loja është puna e fëmijëve, dhe angazhimi në të kërkon që fëmijët të shpenzojnë shumë energji.” Loja e fëmijës nuk është një imitim. Loja është një punë psikike e veçantë. Është një lloj makinerie që i jep subjektit kënaqësi.” (Freud,1920)1Kjo do të thotë se për fëmijët loja është një akt i rëndësishëm rreth të cilit ai shënon gjithë qënien e tij. Ajo kurrsesi nuk mund të jetë në përputhje me realitetin pasi krijohet nga imagjinata e fëmijës dhe situatat në lojë janë të gjitha të krijuara prej tij. Fëmijët luajnë në mënyrë spontane, në lojë tregojnë atë çfarë ata dinë për botën, mënyrën se si i perceptojnë situatat dhe kjo është diçka që u përket tërësisht dhe vetëm atyre
Loja është konsideruar si puna dhe ushqimi i fëmijëve. Është profesioni i tyre. ” Është objektivi përmes së cilit fëmijët përjetojnë botën e tyre dhe atë të të tjerëve.”(Goldstein, 2012, p. 4)2. Loja vë në aktivitet të gjithë organizmin gjë që e ndihmon fëmijën të zhvillojë disa aftësi të rëndësishme përgjatë rritjes, gjithashtu është një proces aktiv dhe konstruktiv (Mead, n.d.; Emslie & Mesle, 2009)3.
Fëmijët si natyrë janë kurioz dhe të gatshëm për të eksploruar, dhe për këtë arsye loja e fëmijëve tenton të jetë spontane dhe e ndryshueshme. Nuk ka të drejta apo të gabuara në lojë, prindërit dhe edukatoret duhet tu sigurojnë fëmijëve të gjitha lehtësirat që ata të mund të luajnë.
Loja karakterizohet më së shumti nga proçesi se sa nga produkti, të qënit fleksibël nga aspekti kognitiv u lejon fëmijëve të eksplorojnë interesat e tyre, të shprehin kënaqësi, të tregojnë frikë dhe zhgënjimet e tyre (Smith, 2013; Edwards, 2017; Miller & Almon, 2009)4.
Të lejosh fëmijën të luaj në disa momente është mëse e rëndësishme për të krijuar lidhjet dhe mardhëniet me të tjerët. Loja është e rëndësishme pasi kontribuon në të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijës. Loja ndihmon në zhvillimin fizik pasi kur fëmijët luajnë përdorin si motoriken fine dhe atë globale.
Loja zhvillon aftësitë kognitive përmes të mësuarit, zgjidhjes së problemeve, kujtesës dhe marrjes së vendimeve. Loja ndikon në zhvillimin emocional të fëmijës duke e lejuar atë të jetë më i vëmendshëm ndaj disa emocioneve dhe ti menaxhoj ato në mënyrë efektive. Loja në kontekstin social është e rëndësishme pasi nëpërmjet saj fëmijët zhvillojnë marrëdhëniet, besimin dhe krijojnë lidhjet të cilat do ti përdorin gjatë gjithë jetës së tyre. Loja nxit imagjinatën duke i lejuar fëmijët të jenë kreativ dhe të krijojnë situata hipotetike. Gjithashtu loja nxit dhe zhvillon aftësitë gjuhësore te fëmijët.