Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka pritur në takim përfaqësuesit e projektit SHER
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku së bashku me prorektorët, ka pritur në takim përfaqësuesit e projektit “Qëndrueshmëria në Arsimin e Lartë dhe Kërkime” (SHER), z. Aqim Emurli dhe z. Nehat Dervishi.
Ky takim kishte për qëllim prezantimin e projektit SHER, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet SHER dhe UKZ-së në fushën e qëndrueshmërisë akademike dhe kërkimeve shkencore, duke adresuar nevojat specifike të universitetit dhe sfidat për zhvillim të qëndrueshëm në këto fusha.
Gjatë takimit, z. Aqim Emurli prezantoi objektivat kryesore të projektit SHER, duke theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë në kërkime, zhvillimin e kapaciteteve kërkimore në përputhje me nevojat strategjike të institucionit, dhe promovimin e barazisë gjinore si një komponent kyç për suksesin afatgjatë. Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen që projekti SHER ofron për të ndihmuar universitetin në rritjen e cilësisë së kërkimeve dhe zgjerimin e mundësive për avancim shkencor.
Rektori Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku shprehu gatishmëri për bashkëpunim të UKZ-së me programin SHER, e njëkohësisht falënderoi shtetin Austriak për përkrahjen që ka dhënë deri tani për Kosovën. Ai, poashtu theksoi se fokusi i SHER në forcimin e qeverisjes institucionale, rishikimin e dokumenteve kryesore strategjike dhe nxitjen e kërkimit dhe inovacionit përputhet me qëllimin strategjik të UKZ-së.
Rektori Dërmaku vuri në dukje se ky partneritet do të kontribuonte ndjeshëm në synimet e UKZ-së, për të ofruar programe moderne të arsimit të lartë, për të rritur kapacitetin kërkimor dhe për të promovuar një mjedis mësimor gjithëpërfshirës dhe me cilësi të lartë që përgatit studentët të shkëlqyer e të gatshëm për tregun e punës.