Raporti i Germinit: Çdo e treta ekonomi familjare pranon remitanca, shumë varen nga to

 Raporti i Germinit: Çdo e treta ekonomi familjare pranon remitanca, shumë varen nga to

Instituti Germin ka publikuar një raport në lidhje me remitancat që vijnë nga diaspora në Kosovë.

Në raportin e vetë, Germin, ka konkluduar se diaspora vazhdon të jetë ndër mbështetjet më të mëdha për Kosovën, ndërsa sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit të kaluar janë dërguar mbi 1 miliard euro remitanca.

“Në bazë të hulumtimit është parë nga afër se çdo e treta ekonomi familjare pranojnë remitanca, e shumë familje janë të varura nga remitancat, duke e pasur si burim të vetëm të të ardhurave. Përkundër kontributit të madh të diasporës në forma të ndryshme të remitancave, qofshin ato individuale, kolektive apo donacione, diskutimi për këto kontribute mbetet i zbehtë dhe jo adekuat. Gjatë diskutimeve të cilat ka pasur Germin me përfaqësues të diasporës është bërë e qartë se shteti i Kosovës nuk ka aplikuar ndonjë politikë të duhur që kanalizon remitancat drejt zhvillimit të vendit.

Duke pas parasysh që remitancat gjithnjë e më shumë janë në rritje, shteti duhet të merr iniciativa të krijoj premisat e para drejtë përdorimit të duhur të remitancave që ndihmojnë zhvillimin e vendit”, thuhet nga Germin.

Germin në rekomandimet e bëra në raport ka thënë se remitancat duhet përqendruar në zhvillim ekonomik të vendit. Se shpenzimi i tyre duhet të orientohet te investimet kapitale.

“Përkundër pranimit të madh të remitancave në Kosovë ndër vite, shpenzimi i tyre nuk orientohet në investime kapitale të cilat do të gjeneronin të ardhura dhe vende pune, mirëpo një pjesë e konsiderueshme e tyre shpenzohen për gjëra bazike për jetesë, siç janë ushqimi apo produktet mjekësore. Ani pse kjo ndërlidhet me mos stabilitet financiar të ekonomive familjare, faktor i mos shpenzimit adekuat të remitancave është edhe mungesa e edukimit joformal të pranuesve të remitancave. Në Kosovë funksionojnë një numër i madh i organizatave jo qeveritare dhe ndërkombëtare, të cilat me anë të bashkëpunimeve të ndryshme mund të ndikojnë në edukime jo formale”, thuhet në rekomandimet e Germin.

“Natyrisht se kur është e nevojshme dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, remitancat mund të jenë të hyrat e vetme të cilat shfrytëzohen edhe për gjëra bazike për jetesë siç janë ushqimi apo produktet mjekësore.

Por, kjo nuk duhet të ndikoj asnjëherë në joaktivitetin në treg të punës, përveç kur është e pamundur e kundërta. Investimi i mjeteve të grumbulluara nga remitancat mund të jenë një bazë fillestare për investime fitimprurëse të cilat ndikojnë në stabilitet financiar në ekonominë familjare por edhe përtej saj”.

Germin ka treguar po ashtu se si kostot për dërgim të remitancave në institucione të ndryshme financiare është tepër e lartë. Ka rekomanduar lehtësim në këtë aspekt. “Për të lehtësuar barrën e diasporës dhe rritur motivimin drejt kontributit të tyre për vendin e origjinës, duhet të krijohen kushtet të përshtatshme në favor të tyre. Koordinimi dhe krijimi i politikave të përbashkëta mes institucioneve qeveritare dhe atyre financiare në lidhje me kostot e shërbimit do të motivonte edhe mëtej diasporën të kontribuonte”, thuhet në raportin e Germinit.

Të ngjajshme