Ramush Haradinaj ia numëron “gropat e zeza” Albin Kurtit
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria Kurti ka shkaktuar gropa të zeza buxhetore.
Sipas Haradinajt rreth 300 milionë euro është dëmi i “gropës” buxhetore.
“Gropat e zeza buxhetore dhe “arritjet historike” të qeverisë
Kosova është nën sanksione të BE-së dhe SHBA-së dhe kjo është e paparë dhe historike. Dëmi deri tashti, rreth 300 milionë euro, pra gropë e madhe e buxhetit dhe bajagi historike.
Albini e ka implementuar marrëveshjen e 2013-s për stickersa, targa të veturave dhe sot paska thënë edhe marrëveshjen për energji dhe kjo është historike.
E ka marrë statusin e “Veteranit Luftëtar” pa e veshur kurrë uniformën e UÇK-së dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji. Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope.
Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë heret a vonë do të kenë shumë punë.
Asnjë njohje për 4 vjet qeverisje, asnjë anëtarësim.
Sipas ASK-së qeveritare gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, ani se për filozofët e qeverisë, Kosovën po e braktisin gjyshet! Gropa apo vrima të mëdha këto që ky kryeministër e kjo qeveri, nuk kanë as dije, as vullnet e as kohë t’i sanojnë. Ata tash janë orientu nga zgjedhjet e radhës që janë mashtrimi i radhës” shkruan Haradinaj në reagim./Indeksonline/