Pse Alban Hyseni “s’po guxon” ta pezullojë Drejtoreshën e Inspeksionit, Entela Hysenin e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare?
Ndonëse ndaj Drejtoreshës së Inspeksionit në Gjilan, Entela Hysenit, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore si e dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, kjo e fundit ende vazhdon ta ushtrojë funksionin e saj, shkruan Zerogjashtë.
Por, në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publik, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, është i obliguar që ta pezullojë nga puna të parën e Drejtorisë së Inspeksionit, Entela Hysenin.
“1. Nëpunësja/i civil pezullohet sipas detyrës zyrtare, në rastet si në vijim: 1.5. ndaj nëpunëses/it civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të saj/tij”, thuhet në nenin 69 par.1,nënpar.
1.5 të Ligjit për Zyrtarët Publik.Lidhur me këtë çështje, zerogjashtë ka adresuar në pyetje në adresë të zyrës për media të komunës së Gjilanit duke i pyetur se a do ta pezullojnë nga puna Hysenin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë marrë përgjigje.
Për çka po akuzohet Entela Hyseni?
Më 1 korrik të vitit të kaluar, inspektorët e ndërtimit kishin nxjerr një aktvendim për rrënim me të cilin është urdhëruar pronarët e kompanive të nderimit “Engji SH.P.K dhe “Elita SHPK” që të rrënoj – kthej në gjendje të mëparshme hapësirat e përbashkëta në përputhje me vendimin për legalizim, meqë kanë kryer ndërtim të paligjshëm.
Ky aktvendim kishte ardhur pas ankesave të biznesmenit Valon Salihut, pronar i disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Kompanitë ”Engji SH.P.K” dhe “Elita SH.P.K” pranë lokaleve të Salihut dyshohet se kanë kryer ndërtim të paligjshme, uzurpim të pronës dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë ndryshuar në terren gjendjen faktike.
Në vend të parkingjeve, kanë ndërtuar një muri dhe në vend të rrugës kanë bërë parkingje, për dallim prej asaj për të cilën ishte lëshuar leja ndërtimore.
Si rrjedhojë e këtij ndërtimi të paligjshëm nuk është duke mundur që t’i shfrytëzoj lokalet e tij për qëllime afariste, duke i paraqitur pengesa në shfrytëzimin e tyre.
Por, përkundër aktvendimit, Hyseni – qëllimisht nuk kishte zbatuar aktvendimin për rrënim, e që Prokuroria pas zhvillimit të hetimeve më datë 18 Mars 2025, ndaj Entela Hyseni, ka ngritur aktakuzë, derisa seanca e parë fillestare është mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan me 14 prill të këtij viti.
“Përfshirja” e nënkryetares së Gjilanit, Leunora Bunjaku në këtë rast
Dyshohet se Hyseni nuk e kishte rrënuar murin ilegal për shkak të ndikimit të nënkryetares së Gjilanit, Leunora Bunjakut e cila është motra e motra e Agron Morinës, investitorit të “Elita SHPK” të përfshirë në rastin në fjalë.
Mediumi “Insajderi” për këtë çështje kishte tentuar të marrë një përgjigje nga nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leunora Morina-Bunjaku dhe drejtoresha e Inspeksionit, Entela Hyseni, por të njëjtat nuk kishin qenë të qasshme.
Për këtë problematikë, në dijeni por pa përgjigje është edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
‘’Unë jam në dijeni për këtë rast, por nuk mundem me u përgjigj për drejtoreshën. Nëse ajo nuk gjënë kohë me u përgjigjë për detyrat e saj”, pati thënë kryetari Hyseni në një prononcim për “IndeksOnline”.
Po ashtu, Hyseni në një përgjigje tjetër për mediumin “Insajderi” pati thënë se
“nuk merret me çështje të vogla”.
Ndryshe, biznesmeni Valon Salihu ia ka shkruar një letër kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, duke e paralajmëruar për kallëzim penal nëse nuk zbatohet aktvendimi për rrënimin e murit ilegal.
“Për të mos ardhur në pozicionin e Entela Hysenit, kërkoj që të ndërmerrni veprimet ligjore që iu takojnë, e gjithashtu me mirësjellje kërkojë që këtë paralajmërim ta trajtoni me shumë seriozitet dhe të ndërmerren veprimet përkatëse, në të kundërtën jam i detyruar që kundër vullnetit tim të ushtroj kallëzim penal ndaj jush”, thuhet në letër. /Zerogjashtë/.