Prokuroria: Ekspertiza zvicerane s’gjeti ADN të dikujt tjetër në gjësendet afër Deharit

 Prokuroria: Ekspertiza zvicerane s’gjeti ADN të dikujt tjetër në gjësendet afër Deharit

Prokuroria Speciale Kosovës, ka njoftuar se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas njoftimit dërguar mediave, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë për rastin e Astrit Deharit, konstaton se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin, në momente të afërta me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”.

Gjithashtu në raport, sipas Prokurorisë Speciale, thuhet se analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit, kanë treguar prani të kafeines e jo etanolit.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se raporti është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe.

“Po ashtu, ju bëjmë me dije se gjatë ditës raporti i ekspertizës në gjuhë frënge dhe gjuhë shqipe do t’iu dorëzohet familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor të familjes. Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar. Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Gjithashtu, Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.

Kryeprokurori i rastit, tashmë në pension, Sylë Hoxha, pati thënë se Dehari ishte dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Prizrenit, ndërkaq drejtori i këtij Spitali Afrim Avdaj, kishte konfirmuar se Dehari ishte pa shenja jete kur u pranua në spital dhe kishte gërvishje në qafë e duar.

Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit Nexhmi Krasniqi, kishte deklaruar se si shkak i konsumimit të barnave, Astrit Dehari kishte rënë në gjendje kome dhe gjatë rrugës për në emergjencë kishte vdekur. Por si shkak i deklaratave kontradiktore të institucioneve, familja e të ndjerit kishin kërkuar që autopsia e trupit të djalit të tyre të mos bëhet pa prezencën e mjekëve të pavarur që do të caktohen nga familja. Ekspertiza është bërë nga Qendra e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër dhe kjo që është zbuluar sot (12 prill), është ekspertizë shtesë.

Të ngjajshme