Profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi ishte kreatore e fanellës gjigante të FC Drita

 Profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi ishte kreatore e fanellës gjigante të FC Drita

Teksa u shpjegon nxënësve të saj për veprimtarinë e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, shoqëri që u lind në momentin kur në trojet rumune shkëlqeu një plejadë e patriotëve shqiptare, që nga Naum Veqilharxhi e deri tek Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe pasardhësit e tyre, pak metra më larg shkollës ku ajo mbanë mësim, në shkallët e stadiumit po ky emër kumbon nga thirrjet e tifozëve më të flaktë të FC Drita – Intelektualët.

Profesoresha e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Shqipe Sijarina – Jakupi, kthen për një çast kujtesën para njëzet viteve dhe vazhdon ligjërimin për veprimtarinë patriotike, kulturore e arsimore të kësaj shoqërie.

Pas luftës, në Gjilan kishte kohë që pos rivalitetit në fushë ndërmjet futbollistëve të Dritës dhe Gjilanit, tifozëritë e të dy ekipeve gjithnjë i përgatisnin befasi njëra-tjetrës me ide kreative në shkallët e stadiumit, gjë e cila vazhdon edhe sot.

Shqipe Sijarina, duke qenë tifoze e flaktë e KF Drita kishte punuar një fanellë gjigante të FC Drita, e cila kishte mbuluar tifozërinë e ekipit bardh e kaltër, gjë e cila nuk i kishte shpëtuar syrit të fotografëve dhe kameramanëve që kishin përcjellë ndeshjen. Pamje të tilla më pas u paraqitën edhe në Stadiumin e Prishtinës, ku është paraqitur e njëjta fanellë.

Njëzet vite më pas, profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi, kujton se ishin dashur me shume se 100 metra pëlhurë bazë për të realizuar një fanellë gjigante që do të valëvitej në derbin e vitit 2001 në Gjilan e më pas edhe në kryeqytet. Përmasat e fanellës ishin 11 x 9 metra.

Shqipe Sijarina – Jakupi

“Me shkronja të qepura me kujdes, me një simetri të përkryer, u thurën dy fjalë që përjetësisht kanë mbetur sinonimi më i bukur i dashurisë. Për shkak të përmasave të mëdha u desh ndihma e gjithë familjes, për të peshuar dhe për të ndërruar pozitën e fanellës, sa here që një shkronjë e artë vendosej në të, nga që ishte e vështirë të peshohej nga një person”, kujton profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi, duke shtuar se me dashuri të veçantë, për disa ditë radhazi, u bashkuan pjesët si në një mozaik, që jo vetëm simbolizon një dashuri pa kusht, por edhe një kulturë dhe krenari qytetare. Ky flamur është dëmtuar nga koha, por sot ka mbetur si një imazh i papërsëritshëm, ishte një novacion në Kosovë, që shumë shpejt u kopjua nga tifogrupet tjera.

Enver Sadiku – kryelajmi.com

Të ngjajshme