Profesor Mumin Dërmaku: Një jetë kushtuar arsimit
Mumin Dërmaku është njëri nga profesorët e vjetër në gjimnazin e Gjilanit. Ky profesor është i lindur, më 1948 në Shipashnicë të Epërme.
Shkollën fillore e keru në vendlindje, në Hogosht, të mesmen (gjimnazin) në Gjilan. Pastaj vazhdoi shkollimin në SHLP, grupi Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Prishtinë. Punën në arsim e nisi në vitin shkollor 1969-70 në shkollën fillore “Zenel Hajdini – Tosha” në Tupallë të Medvegjës, kurse një vit më vonë vazhdoi të punojë në shkollën fillore “28 Nëntori” në Shipol të Mitrovicës. Krahas punës si arsimtar i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, kreu studimet (Gjuhë e letërsi shqipe) nëFakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Prej vitit 1971-1973, dy vite shkollore punoi në gjimnazin e Vitisë. Gjatë vitit shkollor 1973-74, Mumin Dërmaku ishte në shërbimin ushtarak në Nashicë të Sllavonisë dhe gjashtë muaj të tjerë në Han Tjesak të Bosnje Hercegovinës, i vëshguar nën masa të rrepta si çdo intelektual tjetër shqiptar i kohës së Titos. Ndërsa, në vitin shkollor 1974-75, ia nis punës si profesor i Guhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit, ku punon edhe sot e kësaj dite. Gjatë diferencimit famëkeq të intelektualëve shqiptarë dhe pas demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981, së bashku me tre profesorë të tjerë të gjimnazit, iu mohua e drejta e mbajtjes së ditarit dhe e edukatorit (shih libri “Kronikë e një kohe të perënduar” të autorit Fejzullah Fejzullahut), i burgosur politik, tani i ndjerë). Kjo e drejtë iu kthye pas tre muajsh peripecish, por me përcjellje të rrepta dhe të vazhdueshme deri në vdekje të sistemit komunist totalitar. Atëbotë, në organizatën bazë të Lidhjes komuniste, në përbërje të zgjeruar me aktivistë komunalë kishte deklaruar “këtu disa po sulmojnë e disa po mbrohen” duke aluduar në serbë dhe malazez, në njërën anë dhe shqiptarë, në anën tjetër.Mbi diskutimin e vet ka krijuar revoltë tek serbët dhe malazeztë. Gjithashtu ka bërë pyetje: “A është ky diferencim klasor apo nacional?”, duke marrë shembul konkret kur kërkohet përgjegjësia ndaj njeriut të dytë në shkollë, zëvendësdrejtorit, vetëm pse është shqiptar, kurse anashkalohet njeriu i parë i shkollës, drejtoresha, vetëm se është serbe. (shih procesverbalin e grupit punues të gjimnazit, të datës 24 shkurt të vitit 1989, prej tre anëtarësh). Për kontributin e dhënë në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri, Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës” i Vitisë dhe Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit e kanë nderuar me mirënjohje. Mumin Dërmaku nga viti 2013 është pensionist dhe portali zerogjasht i dëshiron shëndet dhe jetë të gjatë. /Shënimet nga autori Tefik Selimi/.zerogjasht/.