PORTRETI ME SHI – Kelmend Jashari (4 shtator 1966-25 prill 2019)
Kelmend Jasharit (4 shtator 1966-25 prill 2019)
nuk do të na shtrydhje për të parë këndej
si pikon shpirti
andej ku ka Mend e qetësi
s’pate faj që të mori përdhunshëm mizorja
të preu në besë lum miku
s’mund t’i merrte të gjitha përkatësishtë
zjarrin e jetës që ndeze ato gaca prushi
shiu nuk i fiku
Kel-Mend
ku e lë atë shkëlqim vezullor të kontrastit
të fortat shtytje
mes Teje e meje si i bartje në vorbullën e atij ylli
thuamë të lutem në cilën orbitë të kërkoj
se prej këtij fund-prilli dhe lotit të gurit
më digjet pylli
sythat kanë hapur prushin e bardhë
kësaj pikture pesëdhjetë e dy blerinave
kornizat e syve ia mbështillje me radhë
dhe ja Mend mbi Ty fluturuan petalet e lagura
në shtylla e mure
kaq ishte bukuria grabitet eleganca
dhe shtrihet përdhe
mandej fshehtas anija e mizorisë në ato oaza
mushkërish paska lëshuar spiranca
erdhi brodhi dhe stuhia e frymëmarrjes
fundosi oazat
akulli i mbledhur hijes mushkëri e derdhur
dhe kosto e hiles
Kel-Mend
lë aq hire sa t’i vizatojmë në çdo kënd buzëqeshjet
sa të mund t’i ngrehim virtytet për një shtatore jo nga bronzi
prej eshtrash mishi gjaku nervash e loti
bie shi shi shi
e toka e dhimbjes nuk ngopet assesi
*
laj sytë mbi një krua kristali
dhe shoh fytyrën time te Kelmend Jashari
Gjilan, më 27 prill 2019
Shkruar nga: Mehmetali Rexhepi