Policia shpesh nuk ndihmon viktimat e dhunës në familje: “Hajt se koke rreh pak, nesër pajtoheni”

 Policia shpesh nuk ndihmon viktimat e dhunës në familje: “Hajt se koke rreh pak, nesër pajtoheni”

Rrezarta është njëra nga shumë gratë kosovare që është në mesin e viktimave të dhunës në familje. Për vite me radhë ajo pohon se ish-burri ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, teksa në një moment ai ka rrahur edhe nënën e saj e cila ishte shkuar si mysafire. Shumë herë, Rrezarta është detyruar t’i fshihte veglat e kuzhinës, sikurse thikat, sepse kishte frikë se të njëjtat do t’i përdorte ish-burri në drejtim të saj. Ajo është e dëshpëruar me mënyrën se si u trajtua rasti i saj në polici. Rrezarta thotë se kur e denonconte dhunën, policia i thoshte “hajt se koke rreh pak, nesër pajtoheni”. Dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore në vend. Policia e Kosovës konfirmon se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti 573 gra dhe vajza kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Si një ndër shkaktarët e dhunës ndaj grave, Brikena Krasniqi-Hoti – Specialiste në Psikologji Klinike dhe Psikoterapi, e përmend “kulturën e shoqërisë sonë që mbështesin dominimin e burrave mbi gratë dhe rolin e gruas e shohin kryesisht si meritore e të qënit e nënshtruar dhe vetëm në shërbim të kujdestarës së familjes….”

Rrezarta: Në polici shkova me fytyrën llom – krejt shenja

“Unë prej që kam jetu te familja e ish-bashkëshortit kam pasur dhunë për vite me radhë. Prej momentit që e kam lindë fëmijën e pare kanë fillu qato sene dhe nuk është që janë ndalë asnjëherë për shtatë vjet”, kështu e nis rrëfimin për përiudhën e trishtë nëpër të cilën kaloi Rrezarta.

Pasi denoncoi dhunën në polici, thotë se ish-burri nuk u mbajt në ndalim policor as për 48 orë. Ajo tregon edhe momentin e vështirë se si ai rrahu edhe nënën e saj e cila kishte shkuar si mysafire tek e bija. Të dyja bashkë kishin shkuar në polici.

“Për me u ndreq situata kam pritë dhe kam kërku ndihmë në institucionet e policisë, çka kanë bo ata kanë bo hajgare. Do të thotë, ke shkuar e ke bo denoncimin edhe u çu polici ka thanë hajt se sot koke rreh –  pak nesër pajtoheni, a ti faktikisht je shku me fytyrën llom – krejt shenja. Le që unë kam qenë viktimë e dhunës, por edhe mami ka qëllu mysafire, edhe mami jem e ka pësu të njëjtin send dhe nuk e kanë marrë parasysh hiç”, tha Rrezarta.

Pse ai u lirua, Rrezarta thotë se sot do të mund të kishte qenë e vdekur.

“Hala pa shku mirë unë në shtëpi, e kanë lëshu, as 48 orë nuk e kanë mbajtë. Qasi përkrahje ke gjetë, në qata të nxehtë apet e kanë lëshu edhe ke mujtë me kanë njona prej viktimave që sjanë sot hiç”.

Sipas Rrezartës, sjellja e dhunshme ndaj saj vinte për shkak se ish-burri abuzonte me drogë e alkool.

Përkundër rrezikut të drejtpërdrejtë që përballej Rrezarta, ajo thotë se priti dy muaj për të marrë urdhër-mbrojtje.

“Ju kam dërgu me foto me CD, me krejt dëshmitë çka i kam pas, me raporte të policisë me krejt. Nuk është që kanë marrë diçka shumë parasysh. Jam shku kam kërku urdhër-mbrojtje, gati dy muaj ditë kanë bo veç një urdhër-mbrojtje me ma lëshu. Më thojke policia nuk ke nevojë për urdhër-mbrojtje se ai edhe pse të ka ardhë tek dera, se edhe pasi jam nda më ka ardhë te dera e shtëpisë, policia ma thoshte hajt se brenda nuk ka hi kurgjo nuk koka bo”, shprehet ajo.

E pyetur nëse ka paraqitur ankesë në Inspektoratin e Policisë së Kosovës lidhur me fjalët që policët ia kanë thënë asaj sikurse “hajt se koke rreh pak, nesër pajtohesh” dhe “edhe pse të ka ardhë te dera, brenda nuk të ka hy”, ajo tha se nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim sepse ka besuar se s’do të gjejë përkrahje.

Ish-burri më rrahu në krejt trupin –sot ai lëvizë i lirë

Rrezartës i kishte hyrë ish-burri edhe me sëpatë brenda.

“Më ka rrahur në krejt trupin, nuk është që e ka nda naj pjesë. Ka pas ditë që mu ka dashtë me i hjekë krejt këto sendet që janë të rrezikshme, me i mshefë, se ka thirrë në telefon ka thënë qitash ka me ardhë me ju pre. Veç pse u bë nervoz në rrugë. I kam mshefë me thika me krejt. Ka pas momente që edhe me sakicë brenda ka hy, dmth i ke sqaru krejt në polici, edhe nuk është që kanë marrë naj farë mase. Sot është i lirë dhe endet sikur mos me pas kurgjë hiç”, shprehet ajo.

Rrezarta e ka përkrahjen e familjes së saj të ngushtë dhe shpreson që “ka me u bo mirë”.

“Përkrahjen e familjes e kam…Po besoj që ka me u bo mirë, gjithmonë me shpresën që me arritë diçka”, shprehet ajo.

Ajo është në pritje për të dalë para Gjykatës, megjithatë edhe aty thotë se merr ofendime nga babai i fëmijëve të saj.

“Ki me i pa edhe sjelljet në gjykatë, që të shan e ofendon qaty dhe nuk ja nin kerkujna….Të fyen e shanë, fjalë negative”, shprehet ajo.

Ajo nuk ka besim në institucionet e vendit dhe mekanizmat që merren me luftimin e dhunës ndaj grave.

Mbështetje nuk gjeti as në Qendrën për Punë Sociale, siç thotë ajo.

“Nuk gjen mbështetje kerkund hiç prej institucioneve sociale ose policia…Para qendrës sociale qaty shajke e bërtitke, kur hisha brenda i tregojsha, thojsha qesi sjellje po bën a jeni duke e dëgju, thojshin hajt se so gajle ky vetën po e kallxon”, tha ajo.

Vazhdon të ndjehet e rrezikuar.

Policia e Kosovës: Rastet e dhunës i trajtojmë me seriozitet

Kohë pas kohe ka pasur ankesa sikurse ajo e Rrezartës për qasjen e policëve ndaj rasteve të dhunës në familje, konkretisht grave.

Lidhur me këto ankesa policia ka një përgjigje.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar”, thotë policia në përgjigjen e saj.

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është e rëndësisë së veçantë (primare), trajtimi i tillë i rasteve, ka bërë që të rastet e kësaj natyre të raportohen pa hezitim nga viktimat e rasteve dhe nga dëshmitarë”, vijon përgjigja e policisë.

Policia thotë se rastet e dhunës në familje trajtohen nga policët që kanë kryer trajnime shtesë për këto raste.

“Rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme”, pohon Policia e Kosovës.

Viktima të dhunës në familje janë kryesisht gratë dhe vajzat

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në tremujorin e parë të këtij viti, janar-mars 2024, nga 698 raste të raportuara, 573 viktima janë gra dhe 178 burra.

Në katër vitet e fundit, në vitin 2022 është regjistruar numri më i madh i grave – 2294 viktima të dhunës në familje. Edhe në vitet 2021 e 2023 kanë qenë mbi 2 mijë viktima.

Brikena Krasniqi-Hoti, Specialiste në Psikologji Klinike dhe Psikoterapi, rendit disa nga shkaktarët e dhunës ndaj grave.

“Shkaktarët kryesorë të dhunës ndaj grave, kryesisht nga burrat e tyre, përfshijnë:Normat dhe Stereotipet Gjinore: Kulturat sikurse e jona, që mbështesin dominimin e burrave mbi gratë dhe rolin e gruas e shohin kryesisht si meritore e të qënit e nenshtruar dhe vetem ne shërbim të kujdestares së familjes, kontribuojnë në sjellje të dhunshme. Pastaj janë, problemet ekonomike: stresi ekonomik dhe varfëria shpesh janë faktorë nxitës për dhunën. Gjithashtu, abuzimi me substance, përdorimi i alkoolit dhe droges shpesh janë të lidhura me raste të dhunës. Histori e abuzimit në fëmijëri. Burrat që kanë përjetuar abuzim në fëmijëri mund të jenë më të prirur për të ushtruar dhunë, sepse ato janë te vetmet modele të sjelljes që i kanë të mësuara për të zgjidhur mosmarrveshjet apo për te shprehur pakënaqësitë”.

Krasniqi-Hoti, shprehet se disa burra përdorin dhunën për të mbajtur kontrollin dhe pushtetin në marrëdhënie.

Në krejt këtë situatë, psikologia Krasniqi-Hoti shpjegon se gratë që janë viktima të dhunës në familje përballen me trauma të shumta.

Prandaj në këto raste, ato përballen me:

“Trauma fizike dhe kjo përfshin lëndime trupore që mund të kërkojnë kohë për t’u shëruar. Trauma Psikologjike: Përjetojnë ankth, depresion, PTSD (Çrregullim i Stresit Post-Traumatik). Izolimi Social: shpesh janë të izoluara nga familja dhe miqtë. Frika dhe Pasiguria: Frika nga dhuna e ardhshme dhe pasiguria ekonomike. Vështirësi në Vetëbesim: Vetëvlerësimi i ulët dhe ndjenja e fajit ose turpit”, thekson ajo.

Por cili është roli i familjes dhe shoqërisë ndaj grave që janë viktima të dhunës.

“Familja dhe rrethi i afërt luajnë një rol kritik në trajtimin e grave që kanë përjetuar dhunë”, tregon Krasniqi-Hoti.

Disa nga format ndihmuese janë, “mbështetje emocionale, dëgjim pa gjykim dhe sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe mbështetës. Gjithashtu, ndihmë praktike –  ofrimi i strehimit të përkohshëm, mbështetja financiare dhe ndihma me fëmijët. Por, edhe inkurajimi për ndihmë profesionale: inkurajimi për të kërkuar ndihmë nga terapistë dhe këshilltarë”.

E pyetur se cili duhet të jetë roli i shtetit në këtë kauzë, psikologia thotë se “shteti duhet të ketë një qasje të fuqishme dhe të koordinuar për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje”.

Ajo përmend rëndësinë e zbatimit tëligjeve që mbrojnë viktimat dhe ndëshkojnë autorët.

“Shërbime mbështetëse – strehimore të sigurta, këshillim psikologjik dhe mbështetje ligjore e financiare sidomos për nënat me fëmijë. Por, edhe edukim dhe ndërgjegjësim – fushata për ndërgjegjësimin e publikut mbi dhunën në familje dhe rëndësinë e raportimit të saj”, janë disa nga mekanizmat që shteti duhet t’i fuqizojë për mbrojtjen e grave sipas psikologes Brikena Krasniqi-Hoti.

Si mund të rindërtojnë jetën e tyre gratë që dikur ishin viktima të dhunës?

Krasniqi-Hoti ndihmon gratë të rikuperohen nga traumat e shkaktuara nga dhuna, prandaj radhitë disa faktorë që duhet përmbushur që viktimat të rikthehen në një rutinë të mirë.

“Bazuar në përvojën time, rikuperimi nga dhuna fizike dhe psikologjike varet nga shumë faktorë, por disa gra mund të kërkojnë vite për t’u rikuperuar plotësisht. Këtu ndikojnë: mbështetje profesionale, terapia dhe këshillimi janë thelbësore për shërimin e plotë.. Gjithashtu, mbështetje sociale – rrjeti mbështetës i familjes dhe miqve është i rëndësishëm.Vullneti dhe vendosmëria: Shumica e grave tregojnë vendosmëri dhe forcë të madhe për të tejkaluar traumën dhe për të rindërtuar jetën e tyre. Por këtë vështirë se mund ta bëjnë pa mbështetjen e shtetit, familjes dhe miqve”.

Si pasojë e dhunës së vazhdueshme ndaj grave, shumë nga to ndër vite janë vrarë nga burrat e tyre. Ka pasur raste kur gratë e vrara e kishin denoncuar dhunën, megjithatë burrat liheshin të lirë dhe jeta e tyre përfundonte tragjikisht. Këtë vit në Kosovë brenda një jave u vranë dy gra, 21-vjeçarja Erona Cokli nga Ferizaj dhe 42-vjeçarja Gjyljeta Ukella nga Peja.

Nuk mjaftojnë vetëm thirrjet për ndaljen e femicidit, në vazhdimësi kërkohen hapa konkretë nga shteti për ndaljen e ketij fenomeni të tmerrshëm.

Emri që përmendet në rrëfimin e viktimës së dhunës në familje është vendosur nga gazetarja në mënyrë që të mbrohet identiteti i saj.

***

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian’;

Të ngjajshme