Pogragja i zotëron tre nga 12 mrekullitë e vogla të Gjilanit

 Pogragja i zotëron tre nga 12 mrekullitë e vogla të Gjilanit

Pogragja është një fshat i bukur, një ndër fshatrat më të bukur të komunës së Gjilanit. Hijeshinë këtij fshati edhe më shumë ia shtojnë kopshtet, fushat, livadhet, kodrat, malet, lumenjtë dhe burime të tjera ujore.

Sipas studiuesve të shumtë, komunës së Gjilanit ia rrisin vlerën edhe 12 bukuritë (mrekullitë e vogla) si:
Kalaja e Pogragjës, Shpella e Resulës në Pidiq, Burimet (po ashtu) në Pidiq, Lumi i Llapushnicës, Penda e Përlepnicës, Guri i shpumë, Shpella e Bresalcit, Tumat ilire, Gurët natyral-artistik në Malishevë, Ujërat minerale në Nasalë e Miresh, Hanet, mullinjtë etj.

Pra, ndër 12 ‘mrekullitë’ e kësaj komune janë vlerësuar edhe Kalaja, Tuma e Pogragjës dhe lumi i Llapushnicës (Llapushës), (sipas studiuesit Ilaz Zogaj, fjala llapushë, emërton ‘një vend mbi gurë’…edhe lumi i Lapushës) rrjedh i tëri përmbi gurë të bardhë… gurë të bardhë dekorativ me madhësi të ndryshme, prej madhësisë së lajthisë, arrës, madhësisë së një veze deri te madhësia e një topi të futbollit e më të mdhenj…

Pikërisht, te këmbët e kodrës së Kalasë, aty ku derdhet lumi i Llapushnicës, në anën e dhjathtë të rrugës, në shtratin e lumit Morava, ndodhet Guveni.

Guvë – Guva, Guve – Guveni

Sipas fjalorit të Gjuhës shqipe, guvë – vrimë gropë në shkëmb apo në tokë.

Guvë, guvë e madhe, guvë e thellë…

Fjalën guvë e hasim si në gjuhën e folur, po ashtu edhe në literaturë: ‘Përplasja e dallgëve në ‘guvë’ e frymëzoi kompozitorin gjerman që të komponoi…

‘Në fillim shpella ishte një “guvë’ e pashfrytëzuar’

Kadare: ‘Astrologu kishte kërkuar në ‘guvë’

Leon Tolstoi: ‘Qelia ishte një ‘guvë’ e hapur në mal’…

Në vendin që quhet ‘Guve’, ka gjasë të ketë qenë një gropë e madhe të cilën e ka mbushur me ujë rrjedha e lumit Morava (kur e ka ndërruar shtratin), kështu guva ka mbetë nën ujin e lumit dhe tani tërë këtë pjesë të shtratit të lumit ne e quajmë ‘guvë – guve’.

Në këtë vend lumi rrjedh qetë (po thuajse nuk ecën fare) dhe ka krijuar një ‘pishinë’ natyrale (200m x 15m) 3000m katrorë me thellësi deri në tri metra.

Ky vend atraktiv (që deri në vitet 70-ta) ka qenë i rrethuar me plepa të mëdhenj dhe ka shërbyer si freski për të pushuar udhëtarët, si vend i përshtatshëm për peshkim, por edhe bazen uji ku janë freskuar dhe kanë notuar të rinjtë, natyrisht ata më të guximshmit.

Pandryshueshmërisë së formës dhe thellësisë së Guvenit i ka ndihmuar edhe derdhja e lumit të Llapushnicës e cila vazhdimisht ka sjellë gurë e rërë që e kanë penguar rrjedhën e lumit Morava dhe kështu kjo pjesë e shtratit është ruajtur e tillë deri në ditët tona duke e ruajtur edhe toponimin shumë të vjetër ‘Guve’

Guveni, edhe sot është atraktiv, së bashu me dy ‘mrekullitë’ tjera: Kalaja e Pogragjës dhe lumi i Llapushnicës, që me një përkujdesje, dhe me një investim modest nga komuna e Gjilanit, apo të ndonjë individi (sidomos tash pas ndërtimit të urës mbi lumë), mund të bëhet një vend shumë i vizituar, jo vetëm për komunën tonë. /Izeir Hyda/

Të ngjajshme