Përurohet ura në Breznicë, lidh Kamenicën me Bujanocin
Është përuruar sot ura që lidhë Kamenicën me Bujanocin dhe Luginën e Preshevës, projekt ky që është realizuar për më pak se tre muaj që prej vënies së gurthemelit.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, gjatë ceremonisë së përurimit, tha se ndërtimi i kësaj ure do të lehtësojë qarkullimin dhe lëvizjen e qytetarëve të të dy anëve.
“Uroj që ky projekt ka me qenë një fillim i mbarë e i mirë që në të ardhmen mos me u përmend e me u harru, po si shtet dhe komunë e Kosovës sa shumë kemi me u angazhu me ua bë jetën më
të lehtë. Po e shfrytëzoj rastin me i kërku edhe Qeverisë së Kosovës dhe të gjithëve që Lugina e Preshevës është një prej vendeve që po ballafaqohet me sfidat dhe padrejtësitë më të mëdha me qenë më prioritet në aspektin e komunikimit, ndërlidhjes me autostradën qoftë hekurudhë ose diçka tjetër”, deklaroi ai.Përfundimin e këtij projekti e quajti “ditë të madhe” kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, i cili tha se ky projekt është i pari që realizohet mes Kosovës e Serbisë që nga paslufta.
“Hera e parë që pas vitit 1999, është një objekt që bëhet mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Shpresojmë të kemi edhe projekte tjera. Nuk e kemi pasur lehtë ne, sidomos pjesa e Bujanocit, sepse është dashur të vijnë disa materiale për ndërtimin e kësaj ure, nga Bujanoci dhe të kalojnë punktin”, tha Arifi raporton kp.