Përurohet libri “Joga dhe Sporti” i profesorit Salih Hasani
Është promovuar libri i profesorit (Shihanit) Salih Hasanit, me titull “Joga dhe Sporti”, pasditën e mërkurë në Bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan.
Derisa në promovim ishin edhe deputeti i Kuvendit tê Kosovës nga LVV -ja Luan Aliu, drejtori për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Gjilanit Kushtrim Zeqiri dhe jo pak krijues, sportistë, gazetarë e artëdashës të ndryshëm.
Botimi i këtij libri u mundësua nga kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni.
Në emër të kryetarit Hyseni, foli drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport Kushtrim Zeqiri.
Ai tha se sot kanë nderin të jenë bashkë për të promovuar një vepër të veçantë,një libër që përmbledh përkushtimin dhe pasionin e një njeriu që ka dhënë kaq shumë për komunitetin tonë dhe për zhvillimin e sporteve luftarake në qytetin tonë të dashur,
Gjilanin.“Flasim për librin “Joga dhe Sporti,” të shkruar nga një prej personaliteteve më të respektuara në fushën e sportit dhe të disiplinës, Salih Hasani”, tha Kushtrim Zeqiri.
Sipas drejtorit për Kulturë, Rini e Sport, Salihu, një njeri i thjeshtë, por me një vizion të madh, jo vetëm që ka ushtruar këtë sport me përkushtim, por ka krijuar breza të tërë sportistësh që sot mbajnë me krenari flamurin e karatesë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas drejtorit Zeqiri, përmes mësimeve të tij, ai ka frymëzuar të rinjtë të ndjekin rrugën e disiplinës, respektit dhe vetëkontrollit, që janë vlera thelbësore të karatesë.
“Libri “Joga dhe Karate” është një testament i dijes dhe përvojës së tij të pasur”, tha Zeqiri.
Drejtori për Kulturë, Rini e Sport, theksoi se në këtë vepër, Salih Hasani, na sjell një kombinim unik të dy disiplinave që, ndonëse duken të ndryshme, ndajnë një thelb të përbashkët: harmoninë e trupit dhe mendjes.
Përmes këtij libri, autori na udhëheq në një udhëtim të brendshëm, ku joga dhe karatja ndihmojnë individin të gjejë ekuilibrin e brendshëm dhe të zhvillojë forcën e tij shpirtërore dhe fizike.
Drejtori shtoi se, në këtë ditë të veçantë, ne nuk po festojmë vetëm botimin e një libri; ne po nderojmë një jetë të tërë përkushtimi dhe pasioni.
Sipas tij, Salihu, përmes punës së tij, ka lënë një trashëgimi që do të jetojë për breza të tërë, dhe ky libër është vetëm një tjetër gur themeli në atë trashëgimi.
“Le ta përshëndesim me duartrokitje të ngrohta autorin tonë, Salih Hasanin, dhe ta falënderojmë për gjithçka që ka bërë për ne, për sportin dhe për kulturën tonë”, tha drejtori Zeqiri.
Për rëndësinë e librit, kanë folur edhe instruktori i karatesë Raif Musa. Dy ish-nxënësit e Shihanit Salih Hasanit, Hazir Mustafa dhe Ismet Bunjaku. Kryetari i Klubit të Karates Arsim Ibrahimi. Gazetari Muhamet Halili, i cili edhe ka udhëhequr ceremoninë e promovimit.
Për librin “Joga dhe Sporti” ka folur edhe vetë autori Salih Hasani, i cili ka falënderuar drejtorin e Kulturës Kushtrim Zeqirin, deputetin e Kuvendit të Kosovës Luan Aliun dhe pjesëmarrësit e tjerë në promovimin e librit.