Performancë e shkëlqyer e trios nga Gjilani, Ylberinë Avdyli, Njomëza Krasniqi dhe Leonita Emini
Ato interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur botërorë si George Frederic Handel, Wolfgang Amadeus Mozart, Giacomo Puccini, Antonin Dvorak si dhe vepra nga kompozitori shqiptar Prenk Jakova. U interpretua edhe vepra premierë e kompozitorit gjilanas Qazim Kryeziu.
Këtë të mërkurë, më 30.11.2022 në sallën e Kolegjit “Don Bosko” në Gjilan u mbajt një trio koncert nga tri muzikantet e mirënjohura gjilanase Ylberinë Avdyli- soprano, Njomëza Krasniqi- violiniste si dhe Leonita Emini- pianiste. Ato rrëmbyen zemrat e publikut me një performancë të shkëlqyer, duke interpretuar vepra nga kompozitorë të njohur botërorë si George Frideric Handel, Wolfgang Amadeus Mozart, Giacomo Puccini, Antonin Dvorak si dhe vepra nga kompozitori shqiptar Prenk Jakova.
Vepër premierë e këtij koncerti ishte vepra e kompozitorit të njohur gjilanas Qazim Kryeziu, të titulluar “ASHK-‘EM”, e dedikuar enkas për këtë ngjarje kulturore dhe që simbolizon shoqërinë e këtyre artistëve tash e 20 vite, të cilën ai arriti t’a thurë në mënyrë profesionale. Publiku e priti shumë mirë këtë koncert pasi ngjarje të tilla janë një shtytëse e madhe në zhvillimin e jetës kulturore e artistike në qytetin e Gjilanit. /kryelajmi.com/.