Për një “R”, në RTK u keqpërdorën 372 mijë euro
Radio Televizioni i Kosovës i ka paguar mbi 372 mijë euro për pesë vjet një kompanie që s’i ka ofruar asnjë shërbim. Gjithë kjo ka ndodhur shkaku i mungesës së një “R-je”, ku në vend të KRU “Pastrimi”, paratë i kanë shkuar kompanisë “Pastimi”.
Kështu është thënë në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku ka raportuar edhe drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati.
Kastrati ka thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një punëtor i RTK-së, i cili tashmë është dënuar për veprimin dhe se paratë i kanë shkuar kompanisë duke pretenduar se është dukei paguar faturat kompanisë rajonale,
KRU “Pastrimi”.Ai tha se këto pagesa kanë nisur në vitin 2008 dhe kanë zgjatur rreth pesë vite.
“Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, “Pastimi”, pa ‘r’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 372 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar por ne jemi dëmtuar”, tha Kastrati.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, tha se është shqetësuese se si një gjë e tillë ka vazhduar pa u vërejtur nga zyrtarë të tjerë të cilët kanë nënshkruar kontratat.
Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se është absurde që kjo të mund të vazhdojë për disa vite me radhë pa u vërejtur.
“Një gjë e tillë mundet me vazhdu për 3 muaj, hajde 6 muaj por për 4-5 vjet është absurde. Diku rreth 7-8 mijë euro në muaj është shumë pa u vërejt”, tha ai.