Për herë të parë në Kosovë, pacientit nga Vitia vena e thellë e këmbës i përdoret si artiere e barkut – operacioni zgjati 5 orë

 Për herë të parë në Kosovë, pacientit nga Vitia vena e thellë e këmbës i përdoret si artiere e barkut – operacioni zgjati 5 orë

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë në Kosovë, është kryer operacioni, kur vena e thellë e këmbës përdoret si arterie e barkut, në një terren me enë artificiale të gjakut të infektuara me qelb.

Ky intervenim kirurgjik ka zgjatur më shumë se 5 orë, tek një pacient i moshës së shtyrë. Operacioni është kryer nga specialistët e Kirurgjisë Vaskulare, në asistim nga specialistët e Anestezionit, të Klinikës së Anesteziologjisë.

Pacienti kishte tri vatra të infeksionit -qelbit, përreth enëve artificiale të gjakut, (protezë vaskulare Dacron 8 mm dhe Dacron 7 mm). Këto dy operime pacienti i kishte kryer në Shkup, në vitin 2020.

Pacienti N.D, 73 vjeç, kishte dhembje, temperaturë dhe tri koleksione të qelbit: e para në pjesën e poshtme të barkut, e dyta në kofshë lartë dhe e treta në pjesën e poshtme të kofshës, të cilat ishin para plasjes, që pastaj mund të shkaktonin një shkallë vdekshmërie shumë të lartë dhe humbjen e këmbës deri në 90%.

Duke qenë të vetëdijshëm se bëhej fjalë për një rrezik të madh, ekipa mjekësore vendosi që pacienti t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik.

Për ta shpëtuar jetën e pacientit, fillimisht u larguan vatrat infektive bashkë me protezat vaskulare të infektuara, që ishte punë shumë e vështirë, sepse ishte hera e katërt që i njëjëti pacient operohej në regjionin inguinal (gilca) të djathtë.

Pastaj morën venën e thellë (VFS) nga këmba e djathtë dhe e bënë; Bypassin (urëzimin) prej një pjese të shëndoshë të protezës në bark deri në arterien dytësore të këmbës, (arteria femoris profunda dex.), pasi që arteria kryesore e këmbës (AFS), ishte kaherë e mbyllur.

Gjithashtu, ekipi mjekësor për ta shpëtuar këmbën e djathtë, morën venën sipërfaqësore (VSM) nga këmba e majtë dhe realizuan bypasin (urëzimin) nga segmenti i fundit të bybasit të mësipërm deri tek gjuri i këmbës së djathtë.

Më parë rastet e tilla kanë shkuar për mjekim jashtë vendi. Për më tepër, rastet e tilla me infeksion të dy grafteve vaskulare (enëve artificiale të gjakut) në të njëjtën kohë janë raportuar rrallë në literaturën mjekësore.

Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 15 ditë hospitalizimi, është lëshuar në shtëpi, në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Të ngjajshme