Pensionohet profesoresha Sabrije Sahiti nga Gjilani, dha kontribut 41 vjeçar në arsim
Postimi i plotë:
Pas një pune mbi katër dekada (41 vite e gjysmë) në arsim sot është pensionuar profesoresha Sabrije Sahiti, profesoreshë e lëndëve ekonomike në SHME “Marin Barleti” Gjilan. Në ditëlindjen e 65-të kolektivi i shkollës ia uron pensionimin dhe ditëlindjen njëkohësisht. Profesoresha Sabrije ishte një punëtore, pedagoge dhe mësimdhënëse e afërt me nxënësit dhe kolektivin e shkollës. Punoi me dekada me përkushtim dhe angazhim të jashtëzakonshëm për edukimin dhe arsimimin e shumë brezave. E falenderojmë profesoreshën Sabrije për sinqeritetin, thjeshtësinë dhe përkushtimin në përmbushjen e misionit të shenjtë të mësimdhënësit.
Të shumtë janë nxënësit që kanë pasur fatin të marrinmësime nga profesoresha Sabrije te të cilët ka skalitur mirësinë,
kulturën dhe dijen. Kolektivi i shkollës do të ndihet gjithmonë krenar për punën dhe angazhimin e saj të palodhur në këtë shkollë. Do të na mungojë fryma pozitive, këshillat dhe sinqeriteti i juaj i përditshëm. Ne koleget dhe kolegët do ta ruajmë një konsideratë të veçantë për fisnikërinë që të karakterizoi. Vlerësim për profesoreshën Sabrije për qetësinë, urtësinë, durimin dhe punën e palodhur deri në ditën e fundit të pensionimit. Puna shumëvjeqare e profesoreshës nuk mund të shkruhet brenda këtyre rreshtave. Profesoresha Sabrije do të mbetet gjithmonë e respektuar dhe pjesë e kolektivit tonë.Tani pensionimi i juaj nuk përfundon por do të jetë një fillim i ri për të shijuar meritat e punës suaj. Profesoreshë Sabrije e gëzofshi pensionimin, ju dëshirojmë shëndet dhe gëzime në jetë së bashku me më të dashurit tuaj.
Me respekt,
Drejtoria e shkollës!