Pensionohet në Skoci gazetarja kosovare Remzije Zeka Sherifi
Gazetarja kosovare, Remzie Zeka Sherifi, e cila prej vitesh jeton në Skoci, është pensionuar sot, pas një karriere të bujshme profesionale e humanitare.
‘Çfarë kënaqësie ishte mbrëmë të festoja daljen në pension me anëtarët e bordit të MIN. Ishte kaq përmbushëse të shihja njerëzit e shumtë që kishin një kuptim të madh për mua gjatë viteve. Falenderim i veçantë për një dhuratë pensioni, pikturën e mahnitshme të mëndafshit nga artisti Paria Moazemigoodarzi. Nuk mund të isha më e befasuar dhe e emocionuar. Momente si këto ia vlen të kujtohen gjithmonë…’, ka shkruar Remzija.
Gazetarja kosovare, Remzi Zeka Sherifi, është ndër gazetaret e para
femra, e cila karrierën e saj e nisi në Radio-Gjilan, mediumin e parë në rajon.Ajo, prej vitesh jeton në Skoci, por lidhjet me vendlindjen e saj nuk i ka shkëputur asnjëherë. Atje, së fundi ka botuar librin ‘Hije prapa diellit’, që është një autobiografi e gërshetuar me fatin e kombit të saj.
‘Hije para diellit’ shpalos rrugëtimin e një mërgimtareje shqiptare, që njëherësh është fat edhe i mijëra shqiptarëve të tjerë nga Kosova, disa prej të cilëve vazhduan jetën në vendet mikpritëse e disa u rikthyen në hirin e luftës, për të rinisur jetën.
Remzija nuk harron ta balancojë krejt këtë ekzod shqiptar edhe me bamirësinë njerëzore, që ajo dhe të tjerët e gjetën në anën tjetër të botës.
‘Të shkruarit është magji, është sikur flet dhe rrëfehesh me dikend që i beson shumë. Të gjitha librat janë dialog, dialog me lexuesit ….E kur shkruan autobiografi të gërshetuar me ngjarjet historike e ekzodusin kombëtar, sërish i përjeton me ankth të gjitha peripetitë e jetës, ndodhitë që të kanë godit fort e kanë lënë vrragë të pashlyeshme…
Libri “Hije prapa diellit“ vë në spikamë tragjeditë e ngjarjet llahtare të luftës në Kosovë, është ftesë njerëzimit për të kuptuar arsyet e parreshtura të mërgimit e të çvendosjeve me forcë të shqiptarëve gjatë shekullit të fundit si dhe shpalos rrugëtimin tim, ndërtimin e jetës në mërgatë, e rrefime të refugjatëve të tjerë, balancuar me bamirësi njerëzore, kujdes e dashuri pa kushte…’, shkruan autorja.
Remzije Zeka Sherifi është sinonim i gruas së guximshme, që ka fituar beteja të vështira, madje edhe luftën me kancerin. Ajo ka mposhtur sfida dhe ka realizuar ëndrra të pamunduara. Remzija besoi te vetvetja dhe ia doli. Ajo shkon në pension me shëndet të plotë dhe e realizuar profesionalisht dhe shpirtërisht. /Mediafokus.info