Pensionohet mësuesja Taibe Shabani Mehmeti nga Gjilani
Është pensionuar mësuesja Taibe Shabani Mehmeti nga Gjilani e cila që nga viti 2003 deri 20 Shkurt 2024 kontribuoi në edukimin dhe arsimimin e nxënësve të shkollës “Nazmi Hoxha” në Gjilan, shkruan portali Zerogjasht.
Postimi i shkollës:
Pensionohet mësimdhënësja e lëndës Gjuhë dhe letërsi shqipe Taibe Shabani Mehmeti
Mësimdhënësja Taibe u lind më 20 Shkurt 1959 në fshatin Kabash të Komunës së Vitisë. Shkollimin fillor e ka mbaruar në Viti, ku ka vazhduar shkollën e mesme në ish Gjimnazin “Boro e Ramizi” sot “Kuvendi i Lezhës”. Shkollimin e mesëm e ka mbaruar më 1978 drejtimi shkencor – matematikor.
Më pas ka vazhduar studimet nëFakultetin Filologjik dega “Gjuhë dhe letërsi shqipe” nga ku edhe u diplomua dhe mori titullin Profesoreshë e Gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Në pamundësi të punësimit në arsim deri në vitin 1994 punoi në Kooperativën Bujqësore “Shurdhani” në Shurdhan si kalkulante, punë të cilën e kreu me sukses.Që nga viti 2003 u punësua në arsim në SHFMU “Bajram Curri” në Shurdhan deri në vitin 2020, më pas vazhdoi punën në shkollën “Nazmi Hoxha” deri në ditën e sotme. Gjatë këtyre viteve krahas vështirësive dhe sfidave kishte edhe shumë suksese në punën me nxënës ku një pjesë e tyre kanë arritur suksese në lëmi të ndryshme.
Me pensionimin e arsimtares Taibe, shkollës sonë nuk do t’i mungojë vetëm një mësimdhënëse me përvojë edhe dituri, por edhe një mike dhe frymëzuese e vërtetë. Mësimdhënësja Taibe ishte shembull i përkushtimit dhe pasionit për arsimin.
Në një ceremoni festive drejtoresha e shkollës e falenderoi për të gjitha përpjekjet dhe kontributin e çmuar në formimin dhe edukimin e shumë gjeneratave.
Ndër të tjerash drejtoresha e falenderoi shumë duke potencuar se kishin një bashkëpunim të shkëlqyer profesional. Ajo theksoi se marëdhëniet tona profesionale janë ndërtuar në bazë të respektit reciprok, bashkëpunimit dhe vlerësimit të njëra- tjetrës, gjë që ka krijuar një mjedis frymëzues dhe të përkushtuar për zhvillimin e nxënësve. Marëdhëniet tona gjatë këtyre viteve kanë qenë shembulli i një bashkëpunimi të frytshëm ndaj misionit tonë të përbashkët për të edukuar dhe frymëzuar nxënësit tanë. Edhe pse ju largoheni nga ambienti ynë i përditshëm do të qëndroni gjithmonë në zemrat tona.
Të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e falenderuan për bashkëpunim dhe sjellje të dalluar shoqërore.
Arsimtares Taibe i urojmë që kjo fazë e re e jetës së saj të jetë e mbushur me shëndet, lumturi dhe suksese në të gjithë hapat e ardhshëm. Urime datëlindja e pensionimi arsimtarja Taibe, ta gëzosh së bashku me të dashurit tuaj!