Pastrohen Varrezat e Qytetit në Gjilan: Nismë për një ambient të pastër dhe të denjë në nderimin e të ndjerëve
Prej tri ditësh, një numër i madh punëtorësh po angazhohen intensivisht në varrezat e qytetit të Gjilanit, duke punuar pa ndërprerje për të bërë një pastrim rrënjësor të tyre. Kjo iniciativë është organizuar nga Menaxhmenti dhe ka përkrahjen e Kryeshefit Ekzekutiv Avdyl Jerliu, Sekretarit Rinor Aziri, dhe Koordinatorit për Departamentin e Hapësirave Publike, Lorik Fetahu.
Në fazën e parë, punonjësit po merren me eliminimin e shkurreve të shumta, që kanë krijuar një masiv të tërë në varreza. Pas kësaj, do të kryhet një pastrim i detajuar i varrezave për të siguruar një ambient të rregullt dhe të pastër. Javën e ardhshme, pritet të shtohen rreth 100 punëtorë të tjerë për të ndihmuar në largimin e mbeturinave, duke përshpejtuar procesin e pastrimit.
Sekretari i Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu,” Rinor Aziri, ka theksuar rëndësinë e kësaj pune:
“Tani jemi në kulmin e përpjekjeve. Nderimi i të ndjerëve është një nderim për kulturën tonë kombëtare. Këto varreza ndodhen në një gjendje alarmante për shkak të shkurreve dhe mbeturinave, por me përkushtimin e gjithë stafit, synojmë ta pastrojmë këtë vend të shenjtë njëherë e përgjithmonë.”
Aziri gjithashtu ka falënderuar punëtorët e Departamentit të Hapësirave Publike për realizimin cilësor të kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme dhe ka bërë apel për ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbajtjen e hapësirave publike të pastra:
“Të mos hedhim mbeturina në vende të shenjta si varrezat, ku të dashurit tanë pushojnë në botën e përtejme. Le t’i respektojmë dhe vizitojmë në një ambient të pastër.” Kjo nismë është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e hapësirave publike dhe ruajtjen e dinjitetit të varrezave të qytetit.