Pas gati dy viteve punime, shtrohet asfalti mbi urën prej 35 metrave te liqeni i Badovcit
Pas gati dy viteve punime, ura tek liqeni i Badovcit me gjatësi prej 35 metrave në magjistralen Prishtinë-Gjilan pritet të lëshohet së shpejti në përdorim.
Kështu ka njoftuar përmes një statusi në Facebook, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, teksa ka theksuar se këtë të hënë është vendosur shtresa e asfaltit.
“Ka filluar vendosja e sinjalizimit vertikal dhe posa të përfundoj edhe sinjalizimi horizontal ura do të hapet për qarkullimin e automjeteve”, shkroi Durmishi.
Ndryshe, kontrata për “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” ishte nënshkruar në janar këtij viti.
Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninëfituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë e 522 euro.
Në kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe “Dreni Inginiering” thuhej se punimet do të kryhen në afat prej 125 ditëve, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ndërkaq ura ishte mbyllur në prill të vitit 2023 për qarkullim për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste.
Më pas, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kishte asfaltuar rrugën alternative tek ura e Liqenit të Badovcit./AlbanianPost/