Parandalohet futja e drogës në Burgun e Dubravës
Departamenti për Siguri në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka parandaluar me sukses tentativën për futjen e kontrabandës brenda këtij institucioni.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se në bazë të burimeve të besueshme, është pranuar informacion se në pjesën veriore jashtë perimetrit të murit do të tentohej të hidhej një pako me materiale të paligjshme.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, është organizuar një plan për kontrolle dhe bastisje, i cili ka rezultuar me gjetjen e një pakete të mbështjellë në qese najloni. Pas hapjes së saj, është konstatuar se paketa përmbante lëndë të dyshuar narkotike dhe katër palë kufje. Pesha e përgjithshme
e materialeve, së bashku me mbështjellësin, u mat në 170 gramë”.“Ky aksion dëshmon angazhimin dhe profesionalizmin e stafit të sigurisë në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës”, thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se do të vazhdojë të zbatojë kontrolle të vazhdueshme dhe siguron se masat e sigurisë do të mbeten rigoroze për të parandaluar çdo veprim të paligjshëm që cenon integritetin e sistemit korrektues. /Zëri