Osmani për dikë nanë e për dikë njerkë: Dekoron luftëtarët e Koshares, injoron “Epopenë e Dukagjinit”

 Osmani për dikë nanë e për dikë njerkë: Dekoron luftëtarët e Koshares, injoron “Epopenë e Dukagjinit”

E para e shtetit ende s’e ka lëshuar dorën si Hashim Thaçi për të dekoruar njerëz djathtas e majtas. Megjithatë, presidentja po akuzohet se përmes këtyre dekoratave, ajo po i selekton pjesëtarët e UÇK-së.

Reagime të ngjashme erdhën sot pasi Osmani pak para përvjetorit të Agim Ramadanit, u kujtua t’i dekorojë pesë luftëtarë nga brigada e heroit.

Por, tri javë më parë, Osmani përveç që nuk dekoroi askënd për ‘Epopenë e Dukagjinit’, presidentja as nuk mori pjesë në përvjetorin e organizuar nga Komuna e Deçanit.

E kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, i bindur se presidentja po bën selektime, ka thënë për Nacionalen se Osmani me këto dekorata nuk po u bën nder as dëshmorëve, as luftëtarëve.

“Presidentja për mua personalisht, nuk është e denjë ta dekorojë askënd në UÇK. Dhe, asnjë fije, ama bash hiç, nuk e ka haberin e luftës e rëndësisë së betejave… Nuk po bën mirë që po i selekton [luftëtarët]. [Dekoratat] Nuk iu kishin bo nder dëshmorëve nëse kjo i dekoron”, është shprehur Ramosaj.

Ndërsa për mospjesëmarrje në Epopenë e Dukagjinit, Ramosaj e vlerëson si veprim qëllimkeq nga ana e presidentes Osmani.

“Mosprezenca në Epopenë e Dukagjinit ka qenë e pajustifikueshme dhe qëllimkeqe, presidentja nuk ka të drejtë morale të ndajë mirënjohje për dikë që është pjesë e UÇK-së”, ka thënë Ramosaj.

Më i butë ka qenë reagimi i Xhavit Jasharit nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, megjithatë tha se dekoratat që u dhanë sot, ishin në baza partiake.

Ama Jashari dha edhe një zgjidhje. Sipas tij, për ta shmangur selektimin e pjesëtarëve të UÇK-së, duhet të formohet një komision vlerësues.

“Po më vjen keq që në baza partiake/politike po jepen dekorata kur nuk ka komision të mirëfilltë. Kështu nuk respektohen vlerat. Për neve është e papranueshme”, thotë Jashari për Nacionale.

“Ka përplot gabime rreth dekorimeve edhe tash edhe në udhëheqjet e kaluara. Për këtë çështje duhet të formohet një komision për t’u dekoruar”, shtoi Jashari.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së dhe bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, Hisen Berisha, ka thënë se dekoratat erdhën për shkak të përvjetorit.

“Nuk kisha thënë se dekoratat janë selektive, kjo ka ndodhur për shkak të përvjetorit. Është në diskrecionin e saj të vendosë. S’ma merr mendja se presidentja i dallon dëshmorët, këtë po e them parimisht. Ne kemi pasur një ushtri dhe një politikë; ta çlirojmë Kosovën”, ka thënë Berisha për Nacionalen.

Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar post-mortem me Medalje Presidenciale pesë ushtarë të Brigadës 138 të UÇK-së “Agim Ramadani”. Osmani për trimërinë e dëshmuar gjatë Betejës së Koshares dhe kontributin pas luftës, ka dekoruar ushtarët: Adem Dahri, Afrim Beka, Arben Sejdiu, Faik Gashi dhe Skënder Rexhëahmetaj.

Të ngjajshme