Opozita kërkon rritjen e pagës minimale, SPSPK: Të mos jetën nën 400 euro
Paga minimale vazhdon të mos ndryshojë në Kosovë. Premtimet e ekzekutivit për ngritje të pagës minimale në 250 euro nuk i afrohen kërkesave të sindikatave që tashmë kërkojnë që të mos jetë nën 400 euro pas rrethanave të reja të krijuara. Opozita mendon se ngritja e pagës minimale është e domosdoshme për shkak të ngritjes së çmimeve, krizës energjetike e pandemisë.
Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshësmbi 35-vjeç.
Sipas nenit 57 të Ligjit të punës, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.
Përkundër se vitin e kaluar kërkuan që paga minimale të jetë 350 euro, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, tha për KosovaPress se tashmë nuk duhet të ketë propozime nën 400 euro për pagë minimale pas rritjes së çmimeve dhe largimit të punëtorëve jashtë vendit.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, njëherësh deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, deklaroi se inflacioni, kriza energjetike dhe situata me pandeminë e kanë bërë të detyrueshme rritjen e pagës minimale. Ndërkaq, deputeti tjetër opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj, deklaroi për KosovaPress se qytetarët e kanë të vështirë jetesën në këtë kohë për shkak të rritjes së çmimeve prandaj shfaqet nevoja edhe për rritje të pagës minimale deri në 350 euro./kp