Një orë pune në Kosovë duhet të jetë minimumi 5 euro

 Një orë pune në Kosovë duhet të jetë minimumi 5 euro

Po të tërhiqet një paralele me vendet ballkanike, por edhe trendin që po ndjekim si vend, pastaj edhe rritjen e kostos së jetës, një orë pune në Kosovë si minimale do të duhej të fillonte me 5€ bazë.

Çmimet në rritje, ikja e fuqisë punëtore dhe pagat shumë të vogla do t’i shtyjnë bizneset në vend të marrin masa edhe në këtë drejtim. Kjo nevojë emergjente që vendi ka tani, për ta rishikuar pagën minimale në vend asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e rëndësishme.

Rritja ekonomike e cila në rrafshin ekonomik paraqet një pasqyrë të rritjes apo rënies si tërësi të prodhimit të përgjithshëm bruto në një vend, duke krahasuar trendin që ka pasur gjatë një periudhe, asnjëherë nuk mund të thuhet se kjo rritje menjëherë të jetë e mundur të shtrihet gjithandej në jetën ekonomike të familjeve dhe mirëqenies së tyre, që i bie se numrat statistikorë do të jenë si të dhëna bazuar në prodhimin e përgjithshëm bruto, por diferenca mes të pasurve dhe atyre që mezi mbijetojnë nuk nënkupton se eliminohet.

Prodhimin e përgjithshëm bruto duke krahasuar me numrin e banorëve, mund ta konsiderojmë si një të dhënë të kalkuluar dhe më pas fitojmë të dhënat e kërkuara, nga e cila varet edhe trendi i zhvillimeve të vendit që ka ndjekur, por asnjëherë interpretimin në aspektin numerik të saj nuk duhet konsideruar se është bërë mjaftueshëm për të gjithë.

Dihet se rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit, teknologjisë apo rentabilitetit të punëtorëve.

Bazuar në këtë, nuk mund të themi se rritja ekonomike në Kosovë ka ardhur si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore, ngaqë të gjithë jemi dëshmitarë të ikjes së fuqisë punëtore.

Kjo rritje ekonomike e deklaruar në Kosovë vjen si rrjedhojë edhe e politikave zhvillimore në vitet e fundit që është ndjekur, dhe kjo vazhdimësi sjell edhe rezultatet që ka ndjekur vendi më pas, duke i shndërruar në rezultat kohë pas kohe edhe politikat zhvillimore që vendi po ndjek sot.

Ky ritëm i rritjes ekonomike nga e cila edhe deklarohet vendi, tani kërkon masa të cilat bëjnë edhe shpërndarjen proporcionale të të mirave, nga e cila përfitojnë edhe shtresat e pakta të mesme të mbetura, si dhe ato të cilat janë në prag të mbijetesës.

Por cilat janë ato të mira që shteti me ligjet e saj shtrinë autoritetin dhe bënë shpërndarjen, dhe këtë rritje ekonomike të deklaruar e prekin dhe ndjejnë të gjithë.

Sigurisht se edhe paga bazë me projektligj e paraparë, konsiderohet si një mekanizëm që do të jetë efektiv në organizimin e aktiviteteve dhe jetës brenda një vendi.

Një punë e paguar mirë, punëtor i trajtuar dinjitetshëm, i respektuar dhe konsideruar si i barabartë, me një orar që respektohet, patjetër se do të paraqesë të dhëna edhe më të mira kur bëhet edhe krahasimi ndër vite, dhe si rezultat i të hyrave më të mira brenda familjes, do të kemi edhe shpenzimet që sjellin dobi zinxhirore.

Në Kosovë ky veprim (rishikim në kontinuitet i pagës bazë) i cili do të duhet të ndodhë herët apo vonë, me efekt që nuk do të jetë i njëjtë nëse vonon shumë, sepse kjo ikje e fuqisë punëtore do të sjellë dëme të konsiderueshme dhe afatgjatë në vendin tonë.

Prandaj, konsiderohet se për fillim një orë pune e paguar mirë, respektivisht 5€ bazë në orë, do t’a ndryshonte trajektoren në rënie drejt pozitives, dhe do t’i hapte rrugë mbajtjes së fuqisë punëtore në vend, por edhe rritjes së mirëqenies në përgjithësi në Kosovë.

Autor: Msc. Skender Berisha

Të ngjajshme