Nepotizëm e punësime “të jashtëligjshme”, çka alarmoi PDK-ja për fotografistët, nipin dhe këshilltarin e Alban Hysenit
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan përmes publikimi të disa kontratave ditëve të fundit ka akuzuar kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin për nepotizëm dhe punësime të jashtëligjshme e me paga të larta, shkruan Zerogjashtë.
Fillimisht sipas PDK-së, komuna e udhëhequr nga Hyseni ka shpenzuar 50 mijë euro për dy fotografistët e tij Bajrush Ahmeti dhe Gent Berisha të punësuar me kontratë mbi vepër.
Por, akuzat e PDK-së ndaj Hysenit nuk u ndalën me kaq. Sipas kësaj partie, Nëntor Shaqiri, këshilltar i Alban Hysenit i cili u pagua me pagë mujore prej 830 euro mbi dy vite iu zvogëlua paga në 690euro pa ndonjë shpjegim.
Sipas PDK-së, Shaqiri është njëri nga 82 të punësuarit e jashtëligjshëm në komunë. PDK ka njoftuar se është në përgatitje të një padie gjyqësore, lidhur me keqpërdorimet e buxhetit prej 1.2 milion euro për të 82 të punësuarit me kontrata në vepër, me pagë mujore deri në 830 euro.
Akuzat për nepotizëm vazhduan edhe këtë muaj ndaj Hysenit, i cili sipas PDK-së ka ndikuar që nipi i tij Landrit Kamberi të punësohet si zjarrfikës në Gjilan.
“Me konkurse, apo pa konkurse punësimet familjare vazhdojnë të jenë prioritet i kryetarit të Gjilanit. Pas kunatave të tij, baxhanakëve, balldëskave, dajallarëve, ju erdhi rendi punësimeve të nipave të kryetarit. Ka rritje të përmbushjeve të premtimeve”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Madje kjo parti ka alarmuar se për qytetarët e zakontë të Gjilanit është e pamundur të ia mësynë konkurseve, përderisa kryetari i Gjilanit ta punësojë tërë farefisin e tij.
Ndryshe, në zgjidhjet lokale të vitit 2021, Alban Hyseni kishte marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë.
Haziri është një nga figurat më të njohura dhe më peshë në LDK, dhe po ashtu ai mban edhe postin e nënkryetarit të partisë dhe ka qenë edhe kryetari i komunës së Gjilanit për katër mandate. /Zerogjashtë/