Mjeku nga Gjilani Dr. Mentor Bilalli, kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër
Mentor Bilali, si fëmijë, kishte tri ëndrra se çfarë donte të bëhej, e të tria ishin identike: mjek, mjek, mjek.
I lindur në Breznicë, një fshat kufitar në komunën e Bujanocit, pasi që babai i tij punonte si punëtor sezonal në Zvicër, ai vizitën e parë në Zvicër e bëri kur ishte vetëm 4 vjeç.
Të gjithë ata që studiojnë për mjekësi, e dinë që rruga për t’u bërë mjek nuk është edhe aq e lehtë. Edhe për (tashmë) dr. Mentorin vlente e njëjta gjë. Ai, pas përfundimit të studimeve 6-vjeçare, nga 2009 punon dy vjet si mjek në kirurgji abdominale emë pas 1 vit në urologji.
Pastaj fillon specializimin në Mjekësinë Interne në Klinikën Universitarë në Aarau, ku prej 2012 ushtron veprimtarinë e tij si mjek. Ndërsa në vitin 2014, në sajë të përvojës dhe specializimit të kryer, avancohet në pozitën e Kryemjekut (Oberarzt) në Aarau.“Dëshira dhe vullneti për të realizuar këtë të parën, janë çelës i çdo suksesi“, rrëfen për albinfo.ch Dr. Mentor Bilalli.
Si hapi i madh i radhës për Mentorin ishte specializimi i dytë, ai në Gastroenterologji dhe Hepatologji, në Klinikën Universitare të Zürichut, gjë të cilën e kryen në periudhën 2015-2018, vit në të cilin edhe këtu merr pozitën e Kryemjekut.
Në Spitalin Universitar të Zürichut, si një institucion mjekësor mjaft prestigjioz në Evropë, Mentori, pos një përvoje të madhe dhe shumë të vlefshme, arrin përfundimin e subspecializimit në Endoskopinë Intervencionale.
Përvoja e akumuluar në këtë institucion do t`i shërbejë doktorit më pas në udhëtimin e tij të radhës… Ai braktis qytetin më të madh zviceran, Zürichun, për të marrë përsipër pozitën e Drejtorit apo shefit të Klinikës së Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë në SRO të Langenthalit në Kantonin e Bernës. Në të njëjtën kohë ai është edhe drejtor i qendrës së Endoskopisë në ordinancën “Gastroenterologie Oberaargau AG” të po këtij spitali.