Mjeku kosovar Ali Devaja certifikohet nga Instituti INCARD në Strasburg për kirurgji abdominale
Doktor Ali Devaja është specialisti i parë kosovar i kirurgjisë abdominale, i cili është certifikuar nga instituti INCARD në Strasburg, një institut ky me renome botërore për kirurgji adbominale.
Ai ka folur për aplikimin e metodave mini-invazive në shëndetësinë kosovare, për arritjet e tij dhe të kolegëve tjerë në kirurgjinë abdominale, kushtet e punës në QKUK dhe të tjera.
Kirurgjia është një profesion interesant, sepse kur mjeku operon një pacient, ai ka qasje në trupin e njeriut, në organe dhe inde, të cilat janë pjesë shumë vitale e ku duhet të punosh me precizitet shumë të madh, thotë ai.
Devaja ka zgjedhur kirurgjinë
dhe ndihet i kënaqur kur i ndihmon pacientit për trajtimin që ka nevojë dhe kur sheh benifitin e asaj pune për një kohë të shkurtër, apo pak më të gjatë.Doktori Devaja ishte pjesëmarrës në Institutin INCARD në Strasburg, i cili merret me kërkime shkencore kirurgjike dhe ku bëhen hulumtime të avancuara arsimore, edukative e trajnuese për kirurgji të hapur dhe laparoskopike mini-invazive dhe robotike.
‘Robotika e kirurgjisë mini-invazive mundëson operimin në distancë’, thotë Devaja.
Por si arriti një kirurg kosovar të bëhet pjesë e një instituti aq të njohur për kirurgji abdominale në Evropë?
‘Kjo është arritur falë ambasadores kosovare në Strasburg, Mimoza Ahmetaj e cila ka kontaktuar me presidentin e këtij Instituti dhe ka kërkuar që edhe Kosova të jetë e përfshirë në INCARD me kirurgët e saj. Dhe është arritur një dakordim”, ka thënë ai për RTK, përcjellë Mediafokus.info
Dr Ali Devaja ishte kirurgu që përfaqësoi Kosovën në këtë Institucion, ku mësohet qasja edukative dhe arsimore e kirurgjisë së hapur dhe laparaskopike, e teknologjisë më të lartë në nivel shkencor, ku do ta kenë fatin të shkojnë edhe kirurgë tjerë të Kosovës dhe të shohin qasjet më moderne të teknologjisë mini-invazive, laparaskpike dhe robotike.
‘Aty zhvillohet një shkencë e nivelit të lartë profesional, arsimor, edukativ dhe kërkues’, thotë Devaja.
Në pjesën e parë – teorike, ligjërohet për sëmundjet e ndryshme dhe pastaj në pjesën praktike, një kirurg duhet të performojë në laborator, i cili gjendet në institutin INCARD, që ka salla të operacionit të teknologjisë më të lartë, ku çdo kirurg, i ardhur nga e gjithë bota, është i përcaktuar për operacionin, llojin, qasjen laparaskopike dhe mënyrën se si do ta kryej operacionin.
Kirurgët e vendeve pjesëmarrëse, të cilët tregojnë profesionalizmin dhe përvojën e tyre bazike nga vendet që vijnë, vlerësohen nga ekspertët dhe profesorët e Institutit INCARD.
Gjatë kohës sa një kirurg është në INCARD, pas ligjëratave dhe pjesës praktike që janë interaktive, me pyetje-përgjigje për mënyrat dhe zgjidhjet e ndryshme, në fund të kësaj, ai i nënshtrohet një provimi praktik dhe teorik përpara një komisioni profesional.
‘Unë dola me sukses në këtë provim të Institutit INCARD dhe u gradova me diplomë’, thotë Devaja.
Për më tepër, ai thotë se përvojat si kjo ndihmojnë shumë një kirurg, sepse vetë rëndësia që je pjesë e një Instituti, ku përdorën metodat më të avancuara dhe njohuritë e fituara aty, të japin mundësi që ato metoda, siç është edhe metoda laparaskopike, t`i aplikosh në Qendrën Klinike prej nga vjen.
‘Metoda laparaskokpie mundëson që pacientit t`i bëhet një hapje më e vogël, disa vrima, gjë që ai ndjen më pak dhimbje se me kirurgji të hapur, ka më pak gjakderdhje, qëndrimi në spital është më i shkurtër dhe rikuperimi është më i shpejtë’.
Qëllimi i një mjeku është arritja e nivelit botëror të shëndetësisë, e cila sot në botë ka përparuar shumë. Devaja beson se Kosova nuk është larg.
‘Ne duhet të jemi në trend me botën dhe metodat që i aplikojnë ata, t`i marrin edhe ne dhe t`i aplikojmë në shëndetësinë tonë. Kosova nuk është larg këtyre arritjeve’, thotë Devaja.
Sipas tij, kirurgjia abdominale në QKUK i kryen të gjitha operacionet e hapura si dhe disa operacione me kirurgji laparaskopike mini-invazive.
‘Tani, pas përvojës time në Institutin INCARD dhe pas shkuarjes edhe të disa kirurgëve tjerë abdominalë, tani në nëntor dhe kthimit të tyre, ne do të jemi në gjendje t`i aplikojmë disa operacione në QKUK, që më parë i kemi bërë me kirurgji të hapur’.
Të dyja llojet e operacioneve i kanë përparësitë dhe rreziqet e veta. Ka raste, kur një proces është shumë i avancuar te pacienti dhe në raste të tilla mjeku nuk mundet ta përfundojë punën me laparaskopi, por duhet operacion i hapur.
‘Ne kemi staf shumë profesional në QKUK, prandaj instituti INCARD shprehu gatishmëri që ne të jemi në vazhdimësi pjesë e tij. Si kirurgji abdominale në QKUK jemi në nivel profesional dhe të gatshëm t`i kryejmë të gjitha shërbimet kirurgjikale. Kemi edhe laparoskop modern. Mundësia jonë që të jemi afër qendrave moderne të kirurgjisë evropiane, nuk është ditë e largët”, thotë ai.
Ndryshe, kirurgjia abdominale ka punuar edhe gjatë kohës së pandemisë, sepse pacienti me sëmundje barku, pavarësisht se mund të ketë virusin, duhet të operohet urgjentisht. ‘Pacienti me probleme të barkut duhet të operohet pa vonesë, sepse është urgjencë kirurgjike dhe këtë e kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë kohës së pandemisë’, thotë kirurgu kosovar, Ali Devaja, i gatshëm për të qenë gjithmonë pranë pacientit, me përkushtim dhe profesionalizëm maksimal./Mediafokus.info