Ministria e Arsimit me një njoftim të rëndësishëm për nxënësit kosovarë
Nxënësit kosovarë këtë vit do t’i nënshtrohen testit ndërkombëtar PISA, e në të cilin testim ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret rezultate të mira.
Përkundër se pranon që pandemia ka ndikuar në cilësinë në arsim, Nagavci shprehet që nuk e ka menduar tërheqjen nga ky testim ndërkombëtar që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, flet edhe për paralajmërimet e SBASHK-ut për mbajtjen e grevave nëse nuk miratohet Ligji i pagave.
“Është e qëndrueshme dhe e drejtë kërkesa që përfundimisht në Republikën e Kosovës të kemi një Ligj të pagave icili i rregullon dhe i adreson pabarazitë që ekzistojnë në mes të kategorive të ndryshme që punojnë në sektorin e publik.
Por, nuk ka vend për greva e aq më pak për shantazhe e për kërcënime, sepse tashmë është duke u punuar në këtë projektligj dhe besoj që në pranverë do të kemi draftin e parë të projektligjit”, shprehet Nagavci.Nagavci theksoi nevojën që ky ligj të ofrojë barazi ku për punë të njëjtë ofrohet pagë e njëjtë.