Migjen Fazliu u shfaq me një super ekspozitë
Migjen Fazliu njihet në Gjilan e Kosovë, jo vetëm si fotograf, por edhe si njohës i jashtëzakonshëm i filmit, poet, njohës i hatashëm i politikës lokale e ndërkombëtare, koleksionist monedhash, satirist i shkëlqyer dhe me studime të përfunduara universitare në fushën e shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore. Së fundi, Fazliu është edhe si drejtor i organizatës ndër më aktivet joqeveritare “Varg e Vi”.
Për nder të përvjetorit të 16-të të Pavarësisë së Kosovës, Fazliu hapi ekspozitën personale dhe familjare me fotografi të gjyshit të tij të njohur fotograf, Muhamed Fazliut.
Në ekspozitë u shfaqën portrete të moshuarve si personazhe të
Gjilanit, fëmijë duke luajtur në fusha e me kafshë, gra, këpucë e patika etj. Portrete të mëdha, diapozitiv, videokaseta, disqe me muzikë të Qamilit të Vogël, Nexhmije Pagarushës etj. Në ekspozitë, publiku iu kthye nostalgjisë me albume fotografish, duke parë dhjetëra të fotografi nga arkiva e familjes Fazliu, ku vetëm një muze i ri do të mund të përmblidhte mijëra fotografi të gjyshit të Migjenit.Kurator i ekspozitës “Memento Vivere” ishte Avni Rudaku. Në konceptin e tij kuratorial, Rudaku shkruan: “Memento Vivere na kthen nga kujtesa familjare në kujtesë institucionale. Shkrepjet e Muhamedit janë afër, mesatare dhe me sfond të pasur kulturor e artistik. Përmes fotografive të Muhamedit, ne shohim transformimin edhe të gruas shqiptare në punë bujqësore e me perçe, në gra me shami tradicionale lokale e shami pa u mbuluar në fytyrë, gra me shami foklorike e veshje kombëtare e deri në gra pa shami, duke shëtitur në histori”.
Ekspozita u mbështet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit. Ajo do të jetë e hapur dy javë në Galerinë e arteve në Gjilan.