Mërgimtarët janë shpirti dhe drita e lirisë së Kosovës
Shkruan: Florim Zeqa 11.02.2022
Filozofia apo më mirë të thë themi mendësia politike e viteve të ’90-ta, e shtetformimit dhe solidaritetit njerëzorë ishte mendësi e pastër dhe e pasur me vlera kombëtare, e cila edhe sot i duhet Kosovës, më shumë së asnjëherë më parë, për shkak se, ajo ishte mendësi e dhënjes gjithçka për shtetin e Kosovës, e jo marrja gjithçka nga shteti siq ndodhi përgjatë këtyre 14 vjetëve të fundit.
Mërgata “mish për topa” të partive të dështuara politike
Historia e shkurtër e tri dekadave të fundit e dëshmon se askush nuk e donë Kosovën më tepër sesa mërgimtarët, por askushmë shumë sesa mërgimtarët nuk është shftytëzuar dhe përbuzur nga të gjitha partitë dhe politikanët e të gjitha llojeve e ngjyrave politike,
pra vetëm janë përdorur “mish për topa” të partive të dështuara politike, të cilat gjithnjë mërgimtarët i kanë konsideruar vetëm si numra gjatë fushatave zgjedhore për shtimin e votave, por jo edhe si qytetarë të barabartë, duke ju dhënë nganjëherë edhe epitete negative, erdhën apo shkuan këta gërrnaçat!Mërgimtarët kanë nevojë për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme që i trajton ata në mënyrë të dinjitetshme dhe të barabartë gjatë tërë kohës, e jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore, që i mbron shtëpitë e tyre, jo vetëm nga hajdutët ordinerë, por edhe që i liron ata nga tatimi në pronë për shtëpitë e ndërtuara pas lufte, të cilat, të shumtën e kohës janë të mbyllura dhe të pashfrytëzuara.
Mërgimtarët kërkojnë njëkohësisht siguri më të madhe për investimet e tyre në vendlindje, që ato të jenë të sigurta dhe të pakërcënuara nga haraç-kërkuesit, të cilët kërkojnë shuma të mëdha parashë në këmbim të zhvillimit të lirë të veprimtarisë afariste në vendin tonë.
Krijimi i kushteve të volitshme dhe heqja e barrierave burokratike për investime nga mërgata, për një kohë të shkurtër, përveqse do ta ndalte trendin e largimit të të rinjëve, do ta kthente Kosovën në një vend të zhvilluar, të dashur dhe tërheqës për riatdhesimin e mërgimtarëve.
Djersa dhe gjaku i mërgimtarëve për liri dhe pavarësi
Lidhja emocionale me vendlindjen, me vendin ku kanë lindur dhe janë rritur, dashuria për pragun e shtëpisë dhe nostalgjia për vendin ku i mësuan ninulat e para në gjuhen amëtare, i ka shtyrë bashkatdhetarët në shtetet evro-perëndimore dhe përtej atlantikut për ta lënë luksin dhe jetën e rehatshme të perëndimit për t’u bërë pjesë e luftës çlirimtare.
Mirëpo, shumica prej tyre që shpëtuan shëndoshë e mirë, me të përfunduar lufta çlirimtare sërish janë kthyer në vendet e perëndimit për të vazhduar punën dhe jetën, jo pse nuk e duan atdheun e tyre, por pse nuk deshën t’i bëhen barrë shtetit në vitet e para të lirisë, për të vazhduar kontributin e tyre material për familjet e tyre pa e harruar asnjëherë shtetin e Kosovës.
Kështu vepruan bashkatdhetarët, luftëtarët e vërtetë me pushkë në dorë deri në çlirimin e vendit. Me qindramijëra mërgimtarë të tjerë e ndihmuan materialisht luftën, dhanë krejt çka patën për lirinë e vendit të tyre, pa marrë asgjë nga shteti i tyre, anipse drejtuesit e Fondit të 3 përqindëshit ua kishin lëshuar “Kuponat Fiskal” në vlerën e parave të dhurura, nën premtimin se pas çlirimit do ta kenë mundësinë e rimbursimit nga shteti nëse për këtë ata kanë nevojë…!
Mërgimtarët, as atëherë, as sot dhe asnjëherë nuk do të kërkojnë rimbursim nga shteti, por nga shteti i tyre kërkojnë trajtim dinjitoz dhe vlerësim për kontributin e dhënë!
Llogaridhënja dhe transparenca e dy fondeve të luftës; “Vendlindja Thërret” dhe “3 përqindëshi” janë obligim moral dhe ligjor i bartësve të fondeve të tyre, në të kundërtën, mosjustifikimi i pasurive marramendëse të krijuara pas luftës i bën ata të pandërgjegjshëm dhe të dyshimtë për shpërdorim të fondeve të sipërpermendura!
Intelektualët e mërgatës në shërbim të shtetit dhe qytetarëve
Mërgimtarët që nuk u tjetërsuan në servil të pushtetarëve të pasluftës e deri në ditët e sotme, jo vetëm që nuk u vlerësuan, u harruan dhe u përbuzën nga shteti për të cilin dhanë krejt çka patën dhe u sakrifikuan deri në vetëflijim gjatë luftës çlirimtare.
E njëjta gjë ndodhi edhe me intelektualët e kthyer nga Diaspora, të cilëve, jo vetëm që nuk ju dha hapësirë e mjaftueshme për të dhënë kontributin e tyre në institucionet e shtetit të Kosovës, asnjëherë nuk u morën në kosideratë këshillat dhe idetë e tyre briliante për shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik, për sigurime të plota shëndetësore për qytetarët pa pasur nevojë të krijohen skema të formës së lëmoshës për kategoritë e caktuara sociale.
Megjithatë, dashuria e intelektualëve ndaj atdheut ishte më e madhe sesa çdo post politik dhe privilegj nga shteti për të cilin luftuan, me shpresën se një ditë do të bëhet mirë në shtetin e tyre për të dhënë kontributin pofesional dhe intelektual, në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
Mërgimtarët janë shpirti dhe drita e lirisë së Kosovës, janë arteria më e pastër dhe më e shëndoshë e trungut tonë kombëtar, janë infuzion për shtetin dhe shpresë për qytetarët e vendit tonë.
Andaj, në këtë përvjetor të 14-të, të shtetit të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, mirënjohje vepres madhore të mijëra veprimtarëve dhe miliona atdhetarëve të mërgatës sonë të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Janë mërgimtarët, ata që për një dekadë e mbajtën në këmbë shtetin paralel dhe financuan arsimin shqip, ndihmuan familjet e tyre dhe familjet shqiptare kudo nëpër Kosovë përmes aksionit “Familja ndihmon Familjen”.
Zoti i bekoftë mërgimtarët dhe familjet e tyre! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!