Mbi 5 mijë mungesa të deputetëve në legjislaturën e 2024-së
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka njoftuar se përqindjen më të lartë të mungesave e ka Lista Serbe, e pastaj partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.
Mbi 5 mijë mungesa të deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë regjistruar gjatë kësaj legjislature.
Lajmin e ka bërë të ditur hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli, në një konferencë për media.
“Gjatë kësaj legjislature janë regjistruar mbi 5 mijë mungesa. Përqindjen më të lartë e ka Lista Serbe apo 32 për qind të mungesave të kësaj legjislature, pastaj nga VV-ja, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja”, deklaroi Haxholli para gazetarëve.
Ndërsa theksoi se deputetët pothuajse të gjitha seancati kanë lënë në gjysmë.
“Deputetët i braktisën pothuajse të gjitha seancat në mes. Shumë deputetë ishin të pranishëm vetëm në listë. Gjithmonë ka pasur kuorum në letër por asnjëherë në praktike. Deputetët i braktisën pothuajse të gjitha seancat në mes”.
“Shumë deputetë ishin të pranishëm vetëm në listë. Gjithmonë ka pasur kuorum në letër por asnjëherë në praktike. Përveç që mungoi kuorumi kishte edhe mungesa të shumta të deputetëve”.
Në muajin gusht, KDI-ja përmes raportit për punën e Kuvendit të Kosovës pas përfundimit të sesionit pranveror kishte thënë se ky institucion kishte përmbushur vetëm 13 për qind të agjendës legjislative për këtë vit.
Gjatë sesionit pranveror Kuvendi miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare.
Në muajin tetor për dy javë rresht, në seancat e Kuvendit të Kosovës kishte pasur mungesë të deputetëve të pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, duke bllokuar kështu punën legjislative dhe debatin politik në vend./AP/