Mbahet “Ecja Tradicionale” për nder të heronjëve kombëtar

 Mbahet “Ecja Tradicionale” për nder të heronjëve kombëtar

Komuna e Kamenices njofton se: “Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”, është mbajtur ecja tradicionale për nder të heronjëve Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Shtigjet e mbuluara me borë nuk i penguan shumë të rinjë e të reja që t’i bashkohen kësaj ecje për të nderuar heronjët.

Po ashtu në nder të heronjëve në ecje u bashkuan edhe i pari i komunës, Kadri Rahimaj, U.D drejtori i DKRS-së, Behar Hyseni, ish-komandanti i UÇK-së, Ahmet Isufi, Kryetari i OVL-UÇK dega në Kamenicë, Milaim Limoni, si dhe zyrtarë të tjerë komunal.

Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka falënderuar të gjithë që u bashkuan në ecjen tradicionale për nder të heronjëve kombëtar, duke thënë se kjo është më e pakta që mund të bëjmë për sakrificën që ata kanë dhënë për vendin tonë, dhe se është një udhrrëfyes i cili na orienton për punët e mira që duhet të bëjmë për ndërtimin e shtetit tonë.

Edhe ish komandanti i UÇK-së, Ahmet Isufi, falenderoi të gjithë të pranishmit dhe organizatorët, të cilët në këtë mënyrë zgjodhën të nderojnë heronjët e rënë në luftën për liri, duke ngritur lartë këtë sakrificë të tyre.

Ecja tradicionale filloi nga pika kufitare ‘Kapi’ për të vazhduar më pas deri tek Kulla e heroit Nuhi Berisha, ku më pas u vizitua Kulla e heroit Rexhep Mala, ndërsa kjo ecje ka përfunduar tek Kulla e heroit Kadri Zeka.

Kjo ecje u organizua nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kamenicë në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, Shoqatën Bjeshkatare Alpiniste “Dardania” Shkup, Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Prishtina”, SHBA “Guri i Shtrenjtë”, Klubi Alpin”Gjilani”, Klubi Alpin “Dardanët”.

Të ngjajshme