Mbahet akademi përkujtimore për mësuesin e veprimtarin, Elez Muja
Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, është mbajtur akademi përkujtimore në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe mësuesit Elez Muja.
Në akademi të pranishëm ishin edhe zyrtarë nga Presidenca, deputetë nga Kuvendi, zv. ministri i Mbrojtjes, përfaqësues të subjekteve politike, familjarë e miq.
Kryetari Alban Hyseni, tha se është nder dhe krenari për secilin prej nesh që kur kujtojmë e përkujtojmë familjarët e qytetarët tanë mblidhemi e flasim për veprat e kujtimet e shumta dhe me vlerë që kemi për ta.
Ai shtoi se për familjet tona në përgjithësi e familjen Muja në veçanti, kjo akademi
e cila para se gjithash nderon institucionet lokale, është më shumë sesa dhimbje, krenari e mburrje për anëtarin e familjes për bashkëqytetarin Elez Muja.I pari i Gjilanit, tha se kontributi i çmuar e me shumë vlerë i mësuesit, është i njohur në kuptimin universal. Mësuesit janë ata që edukojnë brezat e së ardhmes e që ata pas shkollimit shndërrohet në prijës e udhëheqës të vendit. Mësuesi i mirë e çdo herë pa u ndalur jo vetëm mëson, por edhe çka është më e rëndësishme edhe edukon fëmijë tanë. Kur mësuesi, siç është rasti me mësuesin për të cilin jemi mbledhur ta përkujtojmë sot është edhe vetë bashkë me familjen e tij atdhetar i shquar, ai sigurisht që edhe këtë frymë sigurisht e bart edhe tek nxënësit e tij.
Kryetari i komunës, më tej shtoi se mësuesi Elez Muja, ishte më shumë se mësues e duke qenë mësues ishte edhe më shumë se sa veprimtar. Mësuesi veprimtar edukon breza të cilët në shumë dimensione mund e sigurisht që sot japin kontributin e tyre në shoqërinë tonë.
Hyseni është i bindur që sot mes nesh ka nxënës të mësuesit veprimtarë Elez Muja që kanë kujtime të shumta për orët mësimore plotë edukatë atdhe dashurie.
“Unë personalisht, jam me fat që jam që familjen Muja ta konsideroi në mesin e miqve të mi, ku Përparimi e Dritoni janë shembulli sesi mundesh e duhet të jesh profesionistë i mirë, pra i arsimuar, por edhe sesi të jesh profesionistë i mirë që e do atdheun e vendin”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit tregoi, se Përparimi në moshë të re i ishte bashkuar UÇK-së, kjo sigurisht ka ardhur si rezultat i edukatës familjare e cila vije nga një mësues, veprimtarë e atdhetar, siç ishte Elez Muja.
“Uroj që në këtë pesë vjetor të cilin po e shënojmë tani me këtë akademi përkujtimore të jetë vazhdimësia e përkujtimit, por edhe ruajtjes së veprave atdhetare kombëtare të të gjithë atyre që kanë dhënë shumë për vendin dhe lirinë që e gëzojmë”, tha Alban Hyseni.
Kryetari falënderoi Këshillin Organizativ dhe familjen Muja që të gjithëve bashkë i lejuan të bëhen pjesë e të ndajnë këto momente përkujtimi.
“I lehtë i qoftë dheu i Kosovë dhe kujtimi i përhershëm qoftë kujtimi për mësuesin veprimtarë e atdhetar Elez Muja”, tha kryetari Hyseni.
Më pas kanë folur edhe Ahmet Isufi, ish komandanti i ZOK-ut, bashkëpunëtori Ejup Uruqi, kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, veprimtari Ismajl Kurteshi dhe Vehbi Kçiku nga Këshilli Organizativ.
Djali i veprimtarit e mësuesit Elez Muja, Përparimi ka falënderuar të pranishmit e kësaj akademie përkujtimorë.
Për biografinë e veprimtarit e mësuesit Elez Muja dhe poezi, ka interpretuar aktori Ramdan Kurti.
Orkestra frymore “Selman Vokshi”, kanë interpretuar himnet dhe këngët me këngë.
Mbesa Rina Neziri, ka treguar rrëfime nga jeta për gjyshin e saj.
Familjes së veprimtarit e mësuesit i është ndarë mirënjohje nga Shoqata e Invalidëve të Luftës dega në Gjilan, për kontributin e dhënë në arsim mbi 40 vjet dhe për çështjen kombëtare për lirinë e vendit.