“Lista e zezë” e KFOR-it për qeveritarët që sillnin “probleme” në Veri
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në një intervistë për “kallxo.com” të shtunën ka thënë se KFOR-i ia kishte ndaluar hyrjen “komplet qeveritarëve”, në komunën që e drejton, teksa ka përmendur emrin e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Ma ndaluan komplet qeverinë kur erdhën amerikanët ma qitën me letra, me fotografi. Iu thash a jeni bre në veti a jeni normal qysh funksion kryetari pa një qeveri komplet që e keni shti në listë të zezë. Të gjithë ma së pari Radoica, zëvendësministrin Arbër Vokrri, Elberti e rend pos kryeministri edhe shefja e shtetit nuk kanë qenë në këtëlistë të zezë”,
tha Hetemi.Ai ka theksuar se kjo ndalesë për ministrat e Qeverisë së Kosovës ka ardhur meqë KFOR-i “kanë menduar që po sjellin probleme”.
Pos Leposaviqit, ministrit Krasniqi iu kishte ndaluar hyrja edhe në komunën e Zveçanit. Për këtë kishte njoftuar gjatë muajit shkurt ish-kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani.
“KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekes derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit”, kishte shkruar ai në Facebook.
Po ashtu, KFOR-i e kishte kthyer mbrapsht edhe ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun i cili gjatë vitit të kaluar ishte nisur për ta takuar kryetarin Hetemi.
Ndryshe, ky i fundit kishte qëndruar për ditë të tëra i mbyllur në zyrë pasi ishte zgjedhur kryetar i komunës gjatë vitit të kaluar.
Katër kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Në Veri të Kosovës tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan.
BE-ja, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.
Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj.
Që nga ajo kohë deri më sot masat e BE-së nuk janë larguar ende ndërsa Kosova po vuan pasojat e tyre.
Përveç në aspektin financiar – pezullimin e projekteve, granteve e fondeve të ndryshme – masat e BE-së kanë ndikuar edhe në imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.Albanianpost/