Lenë Osmani, pingpongistja më e mirë në Kosovë për kategoritë U17 dhe U19
Lenë Osmani, pingpongiste gjilanase, e cila është fituese e shumë medaljeve, kupave e mirënjohjeve në Kosovë dhe në gara ndërkombëtare, është shpallur pingpongistja më e mirë në Kosovë për kategoritë U17 dhe U19, njofton faqja zyrtare e Gjimnazit të Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti”, Gjilan.
Ajo është nxënëse e shkëlqyeshme klasës XII-6 në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, shkollë të cilës i ka sjellë disa herë vende të para nga garat komunale, rajonale, shtetërore dhe ndërkombëtare.
Kjo talente e madhe e sportit të pingpongut, ka qenë laureate e dyfishtë në ngjarjen kryesore të vitit, organizuar nga Federata e Pingpongut të Kosovës, ku u shpallën sportistët më të mirë për vitin 2023. Lenë Osmani shpallet sportistja më e mirë për vitin 2023 në dy kategori – U17 dhe U19, që është një e arritur e madhe e saj.
“Jam shumë e lumtur për këtë vlerësim që më është bërë dhe besoj se këtë e kam merituar, ngase për të arritur një gjë të tillë kam punuar shumë, kam derdhur shumë mund e djersë, që ekipin tim dhe vendin tim t’a përfaqësojë në mënyrën sa më të mirë”, thotë kjo sportiste e madhe, të cilën e pret një karrierë edhe më e ndritur.
Sukseset e Lenë Osmanit, gjithashtu i bëjnë të lumtur edhe trajnerët e saj, gjithashtu edhe prindin Feat Osmani, nga i cili i mësoi hapat e parë me topin nga celuloidi e i cili është edhe trajneri i saj.
Ndryshe Feat Osmani është trajner i ekipit KPP Prishtina, kurse Lenë Osmani është lojtarja kyçe në këtë ekip.