“Lëndimi s’ishte i lehtë, por tani jam mirë”, rrëfimi i Oltion Bilallit pasi i shpëtoi vdekjes
Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, ka folur për herë të parë pasi i është kthyer vetëdija e plotë pasi javën e kaluar pësoi të mërkurën lëndim të rëndë pasi u godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli.
Ai në një bisedë për RTV Dukagjini ka thënë se gjendjen tani e ka të mirë, derisa ka theksuar se pret që së shpejti të kthehet në fushën e gjelbër.
“E di që keni qenë të shqetësuar për situatën e krijuar në ndeshjen e fundit kampionale kundër FC Malishevës ku pësova një lëndim jo të lehtë, por mundt’iu them se tani jam mirë dhe jam i shtrirë në QKUK nën kontrollin e mjekëve dhe shpresoj që të rikthehem shpejt”,
tha Bilalli.“Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet e dërguara dhe për mbështetjen e vazhduar do të shihem së shpejti, ju dua të gjithëve”, shtoi futbollisti i Gjilanit.
Bilalli pësoi të mërkurën lëndim të rëndë. U godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli në minutat e fundit të ndeshjes Gjilani – Malisheva, që i takoi xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe u zhvillua të martën.
Goditja që mori në kokë gjatë duelit me portierin e Malishevës, e më pas përplasja me kokë në tokë, i shkaktoi gjakderdhje në kokë futbollistit të Gjilanit.
Bilalli është 23-vjeçar. Luan si sulmues krahu. Ai më herët ka luajtur edhe në Turqi për Balikesirsporin. Ka luajtur katër ndeshje edhe për Kosovën U21 si dhe grupmoshat U17 dhe U16.